2008-07-28 17:30:40

Sot Kisha katolike përkujtoi Shenjtorët Nazari e Çelsi, martirë.


(28.07.2008 RV) RealAudioMP3 Shën Nazari, qytetar romak, dishepull i Shën Pjetrit, qe pagëzuar nga Shën Lini, më vonë papë. Për të shpëtuar nga inati i tmerrshëm i të jatit, hebre fanatik e nga persekutimi kundër të krishterëve, u largua nga Roma dhe e predikoi Krishtin në vise të tjera të Italisë, në Gali e në Treviri. E shoqëronte një djalë me emrin Çelsi, të cilin e përgatiti vetë në fenë e krishterë, e pagëzoi dhe e bëri shok apostullimi. Shumë shpejt të dy u kapën e, të ngarkuar me zinxhirë, u flakën në burgjet romake.
Dolën që aty, falë gruas së prefektit romak që, pas një ëndrre të tmerrshme, iu lut të shoqit t’i lironte. Vijuan ta predikojnë Ungjillin e Krishtit, derisa u kapën përsëri e u çuan në Romë, ku Neroni urdhëroi që Nazari të hiqej zvarrë në tempullin e Jovit e të flijonte para idhullit. Por sapo shenjti hyri në tempull, të gjitha shtatoret e idhujve ranë përdhe copa-copa. Pas shumë mrekullish të tjera, që tregohen hollësisht në historinë e martirizimit të dy shenjtorëve, si shpërtheu persekutimi në kohën e Dioklecianit, në vitin 304 pas Krishtit, u qe prerë koka të dyve së bashku në Milano, ku e dëshmuan me gjak fenë e tyre në Krishtin. Më vonë Shën Ambrozi i mbarti trupat e martirëve në kishën përballë Portës Romake, e cila që asokohe quhet Kisha e Shën Nazarit.
Emri Nazar vjen nga hebraishtja e do të thotë: "I shuguruar Zotit", ndërsa Çelso, nga latinishtja, e do të thotë ‘i lartë’.
Ikonografia i paraqet gjithnjë së bashku. Mbajnë në dorë palmën, simbol i martirizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.