2008-07-28 17:30:27

Një muaj më parë, duke hapur Vitin kushtuar Shën Palit, Papa theksoi: “Në një botë, ku sundon gënjeshtra, e vërteta paguhet me vuajtje”.


(28.07.2008 RV)RealAudioMP3 Një muaj më parë, natën e solemnitetit të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Benedikti XVI kryesoi, në bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, kremtimin e Lutjeve të para mbrëmësore, me rastin e hapjes së Vitit Paolin. Në kremtim merrte pjesë edhe Patriku ortodoks ekumenik, Bartolomeu I, si dhe përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera.
“[… ] E kapërcyem së bashku ‘Portën paoline’
të kësaj bazilike zëmadhe të Shën Palit në rrugën Ostiense,
për t’i hapur udhën varganit të gjatë të shtegtarëve që,
këtu e në vise të tjera të botës, do të përkujtojnë
dymijëvjetorin e lindjes
së Apostullit të madh të Popujve, Palit të Tarsit”
– këtë kujtoi Papa, në fillim të kremtimit, e më pas theksoi se përvoja e fesë së Palit, nis nga takimi personal me Krishtin, nga zbulimi se Krishti e do aq, sa të japë jetën për të:
“Feja e tij është dashuri për Jezu Krishtin, dashuri që e trondit deri në thelb të zemrës dhe e shndërron – nënvizoi Papa – e në vijim, duke kujtuar se Pali paraqitet si njeri luftarak, që di ta vringëllojë shpatën e fjalës, theksoi se Apostulli nuk e kërkoi kurrë harmoninë e përciptë. E vërteta për të ishte tepër e madhe, prandaj nuk mund ta flijonte kurrë për hir të suksesit të jashtëm.
Liria është fjala kryesore, për të kuptuar Shën Palin – kujtoi Papa. Dashuria për Hyjin bëhet ligj i jetës së re të krishterë. Është një dashuri, që të bën të lirë:
“Me të të njëtën frymë, Agostini formuloi frazën, që u bë e famshme: Dirige et quod vis fact (Tract.in 1Jo 7,7-8) – duaj e bëj ç’të duash. Kush e do Jezusin, ashtu si e deshi Pali, mund të bëjë gjithçka dëshiron, sepse dashuria e tij bashkohet me vullnetin e Krishtit e kështu, me vullnetin e Hyjit”.
Shën Pali – vijoi të kujtonte Benedikti XVI – na bën të kuptojmë më mirë ç’do të thotë t’i përkasësh Kishës:
“Kisha nuk është shoqatë, që promovon një farë kauze. Ajo nuk ka të bëjë me një kauzë. Ka të bëjë me vetjen e Jezusit i cili, edhe si i Ngjallur, mbeti ‘korp e gjak’, që Krishti vijon të na e dhurojë e të bëjë nga ne, Korpin e vet – tha Ati i Shenjtë, duke shpjeguar, në vijim, se Shën Palin qe njeri që e kumtoi të vërtetën pa frikë, duke vuajtur për të, duke u persekutuar e edhe duke vdekur për Krishtin, që është e vërteta e vetë liria:
“Në një botë, ku gënjeshtra është e fuqishme, e vërteta paguhet gjithnjë me vuajtje. Kush dëshiron t’i dredhojë vuajtjes, t’i rrijë larg, i rri larg vetë jetës e madhështisë së saj; nuk mund të jetë shërbëtor i së vërtetës e, prej këndej, as shërbëtor i fesë. Nuk ka dashuri, pa vuajtje – pa vuajtjen e mohimit të vetvetes, të shndërrimit, të spastrimit të vetvetes, për hir të lirisë. Atje ku nuk ka asgjë, për të cilën ia vlen të vuash, vetë jeta e humbet vlerën e vet. Eukaristia, qendër e jetës sonë të krishterë – bazohet mbi flijimin e Krishtit për ne, lind nga vuajtja e dashurisë, që arriti kulmin e vet në Kryq. Ne jetojmë nga kjo dashuri që na dhurohet”.
Kush është Shën Pali? Homelia e Atit të Shenjtë iu përgjigj kësaj pyetje deri në fund kur, duke falënderuar Hyjin që e bëri Palin dritë e mësues të të gjithë neve, i drejtoi lutjen: “Na jep edhe sot dëshmitarë të ngjalljes, të tronditur deri në thelb të zemrës nga dashuria jote e të aftë për ta përhapur dritën e Ungjillit në kohën tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.