2008-07-28 17:31:16

Cikël poetik nga Atë Pjetër Meshkalla SJ


(28.07.2008 RV) Lutje!

 
O Zoti em, ma fal sinqeritetin,
ma jep instinktin me e njohun n’erë
hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,
të vërtetën vehtes me ia thanë pa frikë,
si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;
hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’çojë krye,
mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,
as varr i zbardhun jashtë e, mbrêndë kufomë!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin
e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtri!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin
E njerëzve vullnet- mirë, që paqë lypin,
me vehten e me shoqin e, me Ty!
Oh, kjo lutje nuk asht,
Nuk asht h i po k r i z i!


Definicione

Nje maskë e zbukurueme
Që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.
Sa vojna lyrë-ngjyrë
që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.
Një pare kallpe e zbehtë
Që në treg na del porsi flori i vërtetë.
Thesi që në grykë ka molla
E poshtë der’në fund, ka veç gjarpijë e bolla.
Nje monument mermeri
mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,
por zemra ndinë si’ i akull në ty, që ngrinë,
por shpirti i drejtë… nuk di… nuk di, nuk di sesi…
por, ndinë….
se jé h i p o k r i z i !


Kudra

Jé Judë, që fjalën ké si shpirt- njeri,
e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,
në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,
hipokrizi
për treqind pare argjend!
Joab jé, që pret në besë e vê pusi:
hasmin e falun përqafon miqësisht,
kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht
hipokrizi
fillë në zemër, si gand…!
Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:
tërhjek detarët e i thithë në pasqyrë të qétë
dhe, ia përplasë anijen té ‘i shkamb nën détë
hipokrizi
me knaqun synin tand!
Të njoh mirë, hipokrizi…
Ti jè trathti, lubi!
Gënjen synin pa sherri,
Por zemra ndinë një erë gjaku në ty, që ngrinë,
Por shpirti i drejtë nuk di… nuk di sesi
Por, ndinë…
Se jé hipokrizi!

Nanë, ktheju!

 
Njâsaj, që’ i ditë prej sulmeve
Të Kulçedrës me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nêmuna
s’duroi t’i shohë këto dhena.
Njasajë… por vaj, na fajeve
në verbim s’u vume cak
e Nanës iu randue zemra,
iku edh’e la këtë prak!
O ju, që parzme hekuri
Luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun Flamurin,
shenjtnue me gjak e bé,
Zgjonju nën rrasa të heshtuna,
ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna
ç’u ba?... Si drita u shkim !!...
Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrinjë Rozafës… M A R I A ?!
Tepër lënguem këso shtigjeve
Si fëmija mbetë pa nanë,
për né ma dritë nuk lëshuene
as hyj, as diell, as hanë
Po a kurrë, ma kurrë, s’do të ngrohemi?
Pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë valleja
Do të ngeli, në terr kah dënesim?!
Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “ E Zojës asht Shkodra,
e, Zoja e Shkodrës së vet!”
Qé, ké ato mure të ndrituna,
-zemra m’a ndiën,- qé zani
i një populli në hov të galdimave,
Tue brohoritë: “O ngâni !...
Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra
që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
Në fé shenjte na vëllazno!
  Shkodër, 1927







All the contents on this site are copyrighted ©.