2008-07-28 17:30:16

Benedikti XVI, në Bresanone për të pushuar dy javë, përshëndeti besimtarët dhe kujtoi lidhjet me qytetin altoatezin.


(28.07.2008 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI arriti sot paradite në Bresanone, për një periudhë pushimi prej dy javësh. Papa u prit në aeroportin ‘Dolomiti’ të Bolxanos, ku zbriti rreth orës 11. 30, nga ipeshkvi i Bolxano-Bresanones, imzot Vilhelm Emil Eger, i cili i drejtoi përshëndetjen e parë, duke i uruar mirëseardhjen, dhe nga autoritetet institucionale altoatezine. Më pas shkoi në Seminarin e Bresanones, ku do të banojë gjatë gjithë pushimeve. I pritur me këngë nga një grup fëmijësh dhe nga një repart i Shytzen – Ati i Shenjtë i drejtoi menjëherë përshëndetjen tij bashkësisë vendase, duke u dukur në ballkonin e katit të parë të Seminarit. Ja edhe përshëndetja e Benediktit XVI:
“Të dashur miq, ju falënderoj shumë për këtë pritje në Bresanone. Në këtë qytet kemi kaluar shumë pushime të bukura. Shpresoj se ne, të gjithë së bashku, do të mundemi, këto ditë, të pushojmë e të kënaqemi, posaçërisht me bukuritë e këtij qyteti e me bukurinë e krijimit”.
Edhe dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, siç e kujtuam më lart, Papa foli për pushimet e tij, duke i porositur besimtarët të mbeten të bashkuar në lutje. E më pas u drejtoi një përshëndetje prekëse pleqve, të sëmurëve, të cilët ngrysin ditët e fundit të jetës në mjediset e trishtuara të spitaleve e të gjithë atyre, që gjithë jetën nuk patën mundësi të kalojnë një periudhë të vërtetë pushimesh.
Por të kthehemi tek arritja e Papës, për të cilën na flet i dërguari i gazetës ‘Avvenire”, Salvatore Maca, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Atmosfera ishte ajo e një feste të madhe. Papa përshkoi gjithë qendrën historike, ku e priste një turmë e radhitur në dy anët e rrugës. Sapo shkeli në trojet vendase, këmbanat e të gjitha kishave përhapen tingujt festivë e vijuan të binin, derisa Ati i Shenjtë u zhduk ngadalë pas portës së Seminarit. Papa i bëri në këmbë 50 metrat e fundit deri në Seminar, duke u ndaluar për të përkëdhelur fëmijët, për të bekuar një grup të sëmurësh, që e prisnin e, së fundi, për t’i përshëndetur të gjithë nga ballkoni qëndror i Seminarit.

 
Pyetje: - Papa deshi t’i drejtonte menjëherë përshëndetjen e tij turmës së besimtarëve: i falënderoi për mikpritjen dhe u kujtoi se është i lidhur ngushtë me Bresanonen…

 
Përgjigje: - Po, i falënderoi menjëherë për këtë pritje kaq të përzemërt: “Jam i lumtur që ndodhem këtu, me ju, në këtë qytet plot me kujtime” – këtë tha Papa në gjuhën gjermane. Por foli si gjermanisht, ashtu edhe italisht.

 
Pyetje - Cilat do të jenë takimet publike të Papës me besimtarët, gjatë qëndrimit në Bresanone?

 
Përgjigje: - Takimet e caktuara do të jenë ato për lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e ardhshme e, pastaj, edhe më 10 gusht. Më 6 gusht parashikohet takimi, në katedrale, me të gjithë meshtarët e dioqezës. Me sa duket, ashtu si në të kaluarën, do të jetë një takim privat, me pyetje-përgjigje ndërmjet Papës e meshtarëve. Më 9 gusht duhet të organizohet ceremonia për t’i dhënë Papës titullin ‘Qytetar nderi’, ndërsa, përveç këtyre takimeve, gjithë programi i pushimeve papnore ka karakter privat.

 
Pyetje: - Cila është atmosfera e pritjes nga ana e vendasve të cilët, në një farë mënyre, kanë në gjirin e tyre një mik të vjetër, siç u shpreh edhe rektori i Seminarit, dom Ivo Muser…

 
Përgjigje: - Të gjithë janë shumë të kënaqur. Ka nga ata që e kanë takuar disa herë gjatë pushimeve të kaluara, kur ishte më i lirë e shëtiste këtu, nëpër rrugët e Bresanones. E kujtojnë si njeri tepër të përzemërt, tepër të sjellshëm, tepër të ëmbël, tipare këto, të njohura, të karakterit të tij. Natyrisht këtë vit do të jetë disi ndryshe, por njerëzit besojnë se do të mund ta takojnë përsëri, ndoshta në mbrëmje, kur të dalë për të shëtitur … Të gjithë janë shumë të kënaqur e duket se edhe Papa është po aq i kënaqur që u rikthye këtu, në një vend të ngarkuar me kujtime, të cilave sivjet do t’u shtohen kujtime të reja…







All the contents on this site are copyrighted ©.