2008-07-28 18:09:28

Atë Gjergj Vata kujton vdekjen e Sivëllaut: fragment i një libri në dorëshkrim.


(28.07.2008 RV)Lodhja e tepërme sikur po e shkrinte dalë-nga-dalë, ashtu si qirin që ndezet, digjet, shkrihet e, si pikon lotin e fundit prej dylli, kthehet krejtësisht në dritë.
Me 23 prill 1988, ditën e Shën Gjergjit, më përmalloi e më çuditi, si mue, ashtu edhe familjarët e tjerë, kur i a behi, i drejtë e i gjallë, si përpara e, si gjithmonë, na përshëndeti me atë "Kjoftë levdue Krishti!", që e shqiptonte në një mënyrë aq të veçantë. M'u afrue e më dha dorën tue më thanë: "Për shumë vjet, e gëzosh emnin! Mandej, tue u kthye prej familjarëve të mi: "Jua gëzoftë e për të gjatë mot!" - u tha.
Atë Pjetri, i mendshëm e i kujdesshëm, si gjithmonë, tue dashtë mos me i prishë punë kurrkujt, e kishte ruejtë kohën me ardhë atëherë kur në shtëpi nuk kishte njeri tjetër përveç familjarëve. Të gjithë i hoqëm vërejtjen pse ishte mundue deri këtu, mbasi prej Ballabanes deri në Gjuhadol për të ishte një copë rrugë e mirë.
Po ai s'na e vuni veshin e nisi të kuvendte, tue na kënaqë, si zakonisht. Me sytë që i ndritshin e i lëvizshin plot gjallni, me logjikën shkreptimtare, ai nisi të na argumentonte shembjen e afërme të komunizmit e të na fliste, pa kurrfarë trishtimi, përkundra, me gëzim, për ndërrimin e shpejtë të jetës së vet. Kishte një keqardhje të vetme: - Shembja e komunizmit asht fare pranë - thoshte - por unë nuk do ta shoh!
Djemtë e nipit deshtën me e përcjellë, kur u çue me shkue. Por ai nuk pranoi në asnjë mënyrë. "Kam Shën Gjergja të tjerë për me shetitë e nuk janë pak, pse ky asht Shenjti i pranverës, Shenjti i rinisë së përjetshme".
E ndërsa e përcillshim deri në krye të rrugicës, na tha: "A e dini çka i pat thanë djalli bariut të lagun, të bamë qullë e të mërdhitun? - Simjet, lum bariu, nuk del ma pranverë!.
- Mos bre, po Shën Gjergj, a do të vijë simjet? - ia pat bariu.
- Po, po! - iu pëgjigj shejtani.
- Atëherë ik e këput qafën, se s'po ditke gja. - i përgjegji bariu.
Patri u nis e na ndejëm tue e shikjue, derisa kaptoi rrugicën tjetër.
Ditën e Shën Pjetrit të 1988-tës, në orën 17. 00, nuk trokita aspak në derën e Patër Meshkallës, por në atë të Plakës së Madhe, Pina Serreqit, e cila jetonte aty me djalë, me re e me fëmijë të djalit. Ajo më priti mirë, por vuna oroe se nuk ishte e qeshun, si përherë. ..
"Po hë, more, si asht Patri?" - e pyeta.
"Besa, more zotni, nuk asht mirë! Dje, pak para se me u errë, u rrëxue në bajë e nuk thirri askënd për me i ndihmue, por u përpoq me u çue vetë. Dikur u kujtova e u nisa vrap me e ndihmue. Për nafakë, nuk ishte vra kurrkund!".
"Si ta merr mendja , ty, Pinë, thue mund të më presë?".
Po a s'je ti shoqi i tij, patër Vata? Më ka porositë me të shtî te ai, porsa të vish!".
Trokitëm në derë e hymë menjëherë të dy. Ai u çue në kambë, veshë e mbathë për bukuri. E mora ngrykë e i urova ditën e emnit. - Sa mirë bane, Vatë, - më tha- të kam pritë. Pata dishirë me u rrëfye!
Ma hodhi stolën në qafë dhe u rrëfye, si të ishte fëmijë që rrëfehet në pritje me marrë, mahnitë prej misterit, kungimin e parë. Ishte një rrëfim plot thjeshtësi e përvujtni.
Si mbaroi, erdh radha eme. Ia vuna stolën në qafë e u rrëfeva me të për të mbramen herë.
Si u rahatuem të dy, ai thirri Pinën, që kishte dalë. Ajo ia mërrijti me të shpejtë e na qerasi me karamele, duhan, kafe e raki, simbas zakonit.
Në sa bisedojshe me të, e vërejshe me kujdes. Fliste ambël, përvujtënisht, me dashamirësi të jashtzakonshme për miq e anmiq. Sidomos për këta të fundit.
"Duhet me i falë, Gjergj! Ashtu si i ka falë Ai i lumi në mëshirën e Tij të pambarim, kur edhe në kryq, i tha Atit: " Fali, o Atë, se s'dijnë çka bajnë!".
Si për t'i vu vulën kësaj bisede, i thashë:
"Sa për punë të faljes, po të tregoj një ngjarje që më ka mbetë në mend. Ishem në Argjipeshkvinë e Shkodrës, kur një ish-studenti em, i cili kishte krye një kurs 9 mujor për infermier (më duket se ka qenë viti 1945) erdh shend e verë te unë, e më tha: "Atë Gjergj, a e di se atë konferencierin, Xhaferr Lezhën, që ju ka paditë ty e patër Gardinin, e kam në dorë, sepse asht shtrue në sanatorium… !?".
"E çka don me thanë me këto fjalë?"- ia ktheva.
"Due me thanë se e kam në dorë e me një aso gjylpanash, ta çoj fill e në botën tjetër… ".
"Ashtu! Si nuk të vjen marre që m'i thue këto fjalë! Ti s'e paske kuptue as Krishtin e as doktrinën e tij. Duhet të rrëfehesh menjëherë e të pranosh se ke mendue me mbytë njeriun. E…tash shko e shërbei Xhaferrit sikur të kishe para vetë Krishtin e sëmundë!"
Ndeja sa ndeja e ma në fund e përshëndeta Patrin e dola për me u lëshue vendin vizitorëve të tjerë që nuk prajshin tue ardhë.
E vizitova edhe tri herë të tjera gjatë muejit korrik dhe vërejta se me mend ishte krejt i kthjelltë, ndonëse fliste tepër ngadalë, si tue u matë.
Më 27 korrik (ajo paska dashtë me qenë nata e dekës së tij) i bana za Pinës Serreqi. Ajo doli menjëherë e më foli: "Pasha të drejtën, nuk asht hiç mirë. Edhe sot u rrëxue rishtas, e…s'po di çka me thanë, veç me çka më duket mue, nuk e ka të gjatë!"
Hyna edhe një herë në atë kthinën e tij dhe e gjeta ndejë në shtrat. E pyeta se si ndihej e ai m'u përgjegj: "Pak ma mirë se kujton Pina. E ndjeva kur të kallëxoi se jam rrëxue e se nuk e kam të gjatë. Po Pina nuk di gja! I ligështuem e i pafuqi po jam boll, veç dhimbje nuk kam, e as kurrfarë vuejtje a zori të posaçëm".
"Patër - i thashë i vendosun- në se më pranon, po rri sonte me ty".
"Jo, jo - ma drodh - nuk asht nevoja, nuk des natën nëpër terr, por në dritë e në diell, prandej shko i qetë e mos ua ven veshin fjalëve të Pinës".
I urova natën e mirë e dola me mendimin se do të zgjaste edhe ndonjë ditë.
N' e nesre, me 28 korrik, vendosa me shkue sa ma heret. U nisa, por se ku u vonova, as vetë nuk e mbaj mend. Sidoqoftë aty kah ora 10, në sa hyjshe në rrugën e Badrave, pak gja mbi shtëpi të Boriçëve, u takova me dom Ndoc Ndojën (Mazin), i cili banonte nga 20-30 hapa nën Boriçët, në anë të kundërt.
E dijshe se ky prift shpirtmirë e trimalosh çohej me terr, xente radhën e i merrte Patër Pjetrit tamblin. Shtëpitë e tyne nuk ishin ma larg se dhetë minuta.
Mbasi e përshëndeta si zakonisht, s'di se si m'u dha e e pyeta: "Si ka ndjehë Pjetri sot?".
Ai më shikjoi vrantë në bebe të synit e m'u përgjegj: "Atë Pjetër Meshkalla ka ndërrue jetë e nuk asht ma! Zoti të dhashtë forcë për sivëllanë tand jezuit! Nuk ka as dhetë minuta që ia rahatova shpirtin me të gjitha sakramendet. Tashti të vetët janë tue ia rahatue trupin, prandej mos shko tash. Mundesh me shkue mbas nja tri orësh e atëherë tash vi edhe vetë.".
Shkova te kolibja e Atë Pjetrit rreth orës 17 të asaj dite. Ata pak familjarë që i kishin mbetë, duket se ishin mundue mjaft me e hijeshue sadopak vendin për rreth, tue zbutë paksa mjerimin që e kishte shoqnue gjithë jetën Jezuitin e madh. Edhe Patrin e kishin zbukurue si s'ka ma mirë. Dukej si dhandërr. Nuk më ishte dukë kurrë ma i bukur se në atë ças. Në fëtyrën e bardhë si bora i kishe ra një hije paqje, mirësie e ngadhënjimi.
Edhe ashtu, i dekun, m'u duk se po zgjidhte probleme të ndryshme jete.
Për një çast më shkoi mendja se sa i pëlqejshin njerëzit me karakter të vendosun e me ideale të larta, sa ia kandte gjurmuesit e hulumtuesit e thellë e seriozë të problemeve të gjithësisë si dhe të gjithë ata, që ishin të thjeshtë, të pastërt e të çiltërt.
Këta kanë qenë gjithnjë miqtë e tij, të çfarëdo besimi të ishin e të çfarëdo ideje. Kurse njerëzit me dy faqe, me dy flamuj, me dy lugë nuk mund t'i duronte e shpesh herë shpërthente kundër tyne zemrimin e tij të stuhishëm. Ky ishte Patër Meshkalla, i cili luftoi deri në frymën e fundit për ngadhënjimin e së vërtetës, të drejtësisë, të çiltërsisë e të vëllaznimit.
U ula në gjuj e ia putha duert e kryqëzueme e ballin e ngrimë. Me që e ndiejshe vedin të detyruem ndaj tij, mshehtas e pyeta Dedë Ahirin në se kishte ndonjë nevojë a gja… Ai m'u përgjegj: "Nuk kemi kurrfarë nevoje, po ti kjofsh faqebardhë që po na gjindesh!".
Dola nga koliba dhe nuk u duka ma aty atë ditë. Isha djegë e përvëlue në vorrimin e Atë Mark Harapit, që më 1974-tën më kishte kushtue katër muej burg të randë.
Megjithatë, ditën e vorrimit, më 29 korrik, shkova përsëri në kthinën ku pushonte Atë Pjetri. Aty gjeta mjaft meshtarë: dom Ndoc Ndojën (Mazin), patër Leon Kabashin, patër Aleks Baçlin, dom Pashko Muzhanin, dom Zef Simonin (sot ipeshkëv), zotni Gjergj Simonin (sot meshtar), Zef Mirditën (sot diakon) si dhe jezuitin Gaspër Jubanin me të nipin, Ndrekë Jakun. Ndër civila më kujtohet vetëm i ndjeri Viktor Kujxhia.
Makina e të dekunve si dhe dy autobuzat, për popull e familjarë, erdhën. Rreth njëqind vetë hypën në to e u nisëm për në vorrezat e reja të përbashkëta, në Stom-Golem.U kthyem me lot në sy, pa Atë Meshkallën, por të sigurtë se ai tashma ishte paraqitë para Hyut, për me i kallëxue Atij të lumit hallet e vuejtjet tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.