2008-07-27 14:45:18

Kisha katolike përkujtoi Shën Pantaleonin, mjek e martir.


(27.07.2008 RV) Pantaleoni lindi në gjysmën e dytë të shekullit III në Nikomedi, Turqia e sotme. Kur u rrit, u bë mjek e më pas u persekutua nga perandori i Kostandinopojës, Galeri, për shkak se dëshmoi publikisht fenë e krishterë. Në vitin 305 u dënua me vdekje dhe u mbyt, pas torturave të tmerrshme: në fillim ia kryqëzuan të dy krahët mbi kokë, pastaj xhelati ia preu me shpatë. Gjaku rrodhi çurg nga krahët e prerë e, sipas traditës, një grua e përshpirtshme e mblodhi në një shishe të madhe, të tejdukshme. Relikja ruhet në kapelën e Shenjtit, pranë katedrales së Ravelos, në Napoli të Italisë. Gjaku i martirit shkrin çdo vit, natën e festës së Tij. Për herë të parë ky fenomen u vërejt në vitin e largët 1112, duke ngjallur një devocion të veçantë në zemrat e besimtarëve të të gjitha viseve për rreth Ravelos, që edhe sot e kësaj dite mblidhen me shumicë për t’u lutur. E shenjti ishte mjeshtër i uratës aq, sa lutjet e tij janë mbledhur në një libër të veçantë me titullin “Libri magjik i Shën Pantaleonit”.
Shenjti, që kohët e fundit ka nisur të nderohet edhe në Shqipëri, është pajtor i Kremës, i Milianikos, Ravelos e Pianelës në Itali. Për nder të tij janë ngritur shumë Kisha, njëra nga të cilat, në zemër të Romës. Arbëreshët kanë themeluar një shtëpi, që e quajnë ‘Shtëpia e Arbëreshëve në Itali’. Ka si pajtor Shën Pantaleonin. Shenjti, emri i të cilit vjen nga greqishtja e do të thotë ‘luan i fuqishëm’, është edhe pajtor i mjekëve e i mamive e ka si shenjë dalluese, palmën e martirizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.