2008-07-26 11:06:19

Kujtimi liturgjik i shenjtorëve Joakini e Ana, prindërit e Virgjërës Mari.


(26.07.2008 RV)Pikërisht në zemër të verës, kur familjet, për të shpëtuar nga vapa e nga zagushia, kërkojnë freski, çlodhje e prehje ndër bjeshkë, liqene e bregdete, duke i lënë pleqtë në shtëpi, vetëm, ose duke i shtruar, në se nuk janë më të zotët e vetes, ndër shtretër spitalesh, ku nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë, bie festa e Joakinit e Anës, prindër fatlumë të Zojës së Bekuar e gjyshër të Jezusit, shembull e pajtorë të vatrave familjare e të gjyshërve tanë. Ashtu si i është kushtuar, gjatë vitit, një ditë baballarëve e një ditë nënave, ndoshta-ndoshta për t’u kthyer në një farë mënyre, me dhurata, borxhin e pakthyeshëm që u kanë bijtë, disa antropologë mendojnë se është e natyrshme që edhe gjyshërve t’u kushtohet një ditë e tillë, për të spastruar kështu sadopak lëmashkun e indiferencës që shtrohet mbi marrëdhëniet ndërmjet tyre e të rinjve.
Një ndër ditët e përshtatshme për t’u shprehur mirënjohjen, respektin, solidaritetin, për urtinë e fituar përmes përvojës së viteve e për flijimet, më tepër se gëzimet në jetë, mund të jetë edhe ky 26 korrik.
Tradita fetare e popullore e festës së gjyshërve të Jezusit, përmes dokeve, zakoneve e ikonografisë së këtyre shenjtorëve, na fton të kujtohemi për gjyshërit tonë, të cilët shpesh herë e ndjejnë veten të harruar, gati-gati pa emër, jo vetëm ndër qytete por, për fat të keq, tashmë edhe ndër viset e humbura, gjysëm të shkreta, ku lihen në mëshirën e minjve e të hajdutëve.
Tradita e lashtë na kujton se braktisja tashmë po ndjehet edhe atje, ku deri dje gjyshërit ishin shtyllat kryesore të shtëpisë e të familjes, ku fjala e tyre ishte urdhër, prania gëzim e fjala shkollë.
Në botën përendimore numri i pleqve vjen gjithnjë duke u rritur, ndërsa ai i të rinjve, duke u bërë gjithë më i vogël. Në viti 2020 parashikohet që numri i pleqve të jetë më i madh sesa ai i të rinjve. E ajo që është më shqetësuese-kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet ndërmjte breznive, duke krijuar rrezikun e ndeshjes ndërmjet tyre. Me humbjen e drejtpeshimit të moshave, paga e pensionistëve rëndon gjithnjë më shumë mbi kurrizin e të rinjve. Atëherë të rinjtë nisin t’i shikojnë pleqtë si barrë, si njerëz që kushtojnë tepër, që u zënë banesat e u kufizojnë kohën e lirë. E ç’është më keq, u kujtojnë vazhdimisht si do të bëhen, kur të plaken.
E natyrisht, plakja progresive e shoqërisë kërkon edhe strategji të reja shëndetësore, modele të reja ndihme, me qëllim përmirësimin e jetën e njerëzve që i kanë kapërcyer të 75-sat. Njerëz me moshë të tillë krijojnë dy probleme kryesore: atë të vetmisë, sepse nuk sigurojnë më mbështetjen e familjes, e atë të rrezikut të humbjes së vetveprimit fizik ose psikik.
E kështu figura e njeriut të moshuar po e humbet plotësisht vendin që kishte dikur në gjirin e familjes.
Por të kthehemi tek traditat e bukura të kohëve jo shumë të largëta.
Në këtë periudhë, sipas një tradite të lashtë, fshtarët, për të shpëtuar nga vapa e banesës, e kremtonin një festë tradicionale me këngë e valle në ajër të pastër, larg shtëpive, në freskinë e netëve verore, nën qiellin plot yje. Hanin e pinin gjithë natën prodhimet më tipike të verës, duke nisur me verë e duke përfunduar me shalqi. Për t’i larguar njerëzit nga teprimet, Kisha radhiti në liturgji kujtimin e Shën Jakut e të Shën Anës, si ideale jete e shembull të zakoneve të mira familjare.
Kulti i dy shenjtorëve, të cilët i njohim përmes traditës, Etërve të Kishës si Protoungjillit të Jakut (vepër apokrife e shekullit II), shumë i lashtë tek grekët, spikat posaçërisht në shekullin VI. Prej tyre dalë-nga-dalë u shtri edhe në Përendim. Tek grekët Shën Ana kujtohej më 25 korrik, tek latinët, më 26. Ndërsa Shën Joakini në fillim nisi të kremtohej më 20 mars, pastaj - të dielën e parë pas 15 gushtit, kur kremtohet ngjitja e Zojës në qiell, më pas më 16 gusht e, me kalendarin e ri liturgjik, në të njëjtën ditë me fatin (bashkëshorten) e vet, Shën Anën, më 26 korrik.
Në pëshpirtërinë popullore shenjtorët nderohen edhe si pajtorë të prodhimeve të stinës që piqen ndër koshpte e ndër ara. Në këto javë toka zhuritet e ka nevojë për ujë. Për ujë ka nevojë blerimi, i zbehur nga vapa, kanë nevojë për ujë frytet ndër pemë e rrushi ndër vreshta. Kur bie shi më 26 korrik, konsiderohet si shi i bekuar. E pleqtë rrëfejnë se gjëja më e çmuar që Ana, kur u nis nuse, i solli si pajë Joakinit, bari grigjësh, ishte pikërisht uji.
Gjyshat e gjyshet, nënat e nuset i nderojnë dy shenjtorët si pajtorët e tyre qiellorë, si shembull për jetën e tyre familjare e bashkëshortore, jetuar në frymën e lutjes biblike dhe të respektimit të ligjit të Zotit.
Në figuret e Shën Anës e të Shën Joakinit, shpesh i shikojmë me dorën mbështetur mbi Bibël, në sa i mësojnë psalme e lutje Bijës së tyre të zgjedhur, që do të bëhej “e bekuar mbi të gjitha gratë”.
Pikërisht për këtë, në mbasdreket e gjata verore, ndërsa prindërit ishin ende ndër ara e vreshta, ose kishin nisur të endnin lirin e mëndafshin, gjyshet dikur u lexonin nipave faqe nga historia shenjte e u mësonin lutje të bukura, që thoheshin me zë të lehtë, melodioz e sigurisht, me gjithë zemër, për të mos u harruar më gjithë jetën. E gjyshet nuk harronin të përgatisnin edhe ëmbëlsira të këndshme, gatuar me frytet e stinës, me kumbulla e kajsi, të cilat haheshin rreth sofrës familjare, duke krijuar një atmoferë të mrekullueshme paqeje e mirëkuptimi ndërmjet brezave.







All the contents on this site are copyrighted ©.