2008-07-26 14:52:02

Atë Lombardi për Udhën e Kryqit të Sidneit.


(26.07.2008 RV)Të shikosh si kalon Jezusi, i ngarkuar me Kryq, nëpër rrugët moderne të metropolit e si ngjitet në Kalvar, ndërmjet të krishterëve të shekullit të 21-të! Kjo ndodhi me shfaqjen e Udhës së Kryqit në rrugët e Sidneit, të premten e kaluar. Në praninë e Papës, të rinjtë e Ditës së 23-të Botërore të Rinisë, rijetuan misterin e Mundimeve të Krishtit, në heshtjen e thellë të lutjes, që tërhoqi vëmendjen e mediave të mbarë botës. Edhe kjo është një mënyrë për ta bërë të dukshme Kishën, pikërisht në vendet ku shpesh mbretëron indiferenca e frenezia. E nënvizon, në notën e mëposhtme, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:

“Një nga çastet kulmore të DBR-së së Sidneit ishte, pa dyshim, Udha e Kryqit që kaloi mes-për-mes metropolit kozmopolit. Qyteti i madh shekullor ndoqi me habi plot respekt, shfaqjen, në dukje moderne, të një ngjarjeje të lashtë, por me një aktualitet tepër të thellë, të përhershëm.
Rikujtimi i stacioneve të mundimeve të Krishtit përshkoi vendet më simbolike të qytetit – Operën, Urën, portin e i bëri dëshmitarë të një misteri, me të cilin lidhen burri e gruaja e të gjitha kohëve në çastet e dhimbjes, të ballafaqimit me të keqen brenda e jashtë vetes, me dhunën e me vdekjen.
Në historinë e botës, nuk ka rrëfim që e trandë më fort ndërgjegjën e njeriut, se Mundimet e Krishtit, thelb i Ungjillit. Është meritë e madhe e DBR-së së Sidneit – ashtu edhe si e ditës së Torontos – impenjimi në mënyrë kaq të jashtëzakonshme, për t’ia ripropozuar jo vetëm të rinjve pjesëmarrës, por edhe qytetit, që i mikpriste. Është një kumt i madh e i guximshëm, që kërkon ta vërë shfaqjen në shërbim të mesazhit shpirtëror e të lutjes. Ishte shfaqje, natyrisht, por shfaqje ‘ kishtare’, në hullinë e traditës së krishterë.
Përballë e përreth Jezusit, që vuan e vdes, aktorë të tjerë, e jo thjeshtë spektatorë, jemi ne. Qyteti i madh shekullor nuk qëndron indiferent, por reflekton, i bën vetes pyetje të vështira. Ashtu si qyteti i madh i Ninives, që ia vë veshin Jonës Profet dhe, të paktën për një ditë, kupton se njeriu ‘nuk jeton vetëm me bukë’. E ndoshta-ndoshta jo vetëm për një ditë, sepse nuk është e lehtë t’i harrosh ato kryqe në perëndim, në skaj të molos së Barangarusë, gjatë brigjeve të gjirit të detit.
Kryqi i Krishtit, që vdiq e u ngjall për ne, mbetet fjala më e fuqishme e shëlbimit, që na u dha për ta kumtuar, ‘masa’ më e sigurtë e jetës sonë, ashtu siç tha Papa. Bëjnë mirë të rinjtë që e provojnë, sepse kështu do të jetë edhe në qytetet e së nesërmes, në mijëvjeçarin e tretë e në ata që do të vijnë pas”.







All the contents on this site are copyrighted ©.