2008-07-26 09:42:35

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Jani III Sobieski dhe beteja për Vjenën".


(26.07.2008 RV)Sot në mëngjes banorët e Varshavës ndjekin një paradë të madhe. Mbreti Jani III Sobieski marshon, në krye të 25 mijë ushtarëve polakë. Nisen për t’u bashkuar me dyzetmijë njerëz të ardhur nga vende të tjera, të cilët do të luftojnë nën komandën e Janit. Kjo ushtri do të vrapojë në ndihmë të austriakëve, të rrethuar që prej pesëdhjetë e nëntë ditësh nga turqit, që trokasin kështu në portat e Vjenës.
Në sa përshkohet nëpër rrugë, njerëzit pëshpërisin:
“A e dini se e ka ftuar vetë Papa Inoçenci IX, për t’u nisur në ndihmë të austriakëve!?”.
“Natyrisht. Është luftëtar i famshëm. S’kish si të zgjidhte më mirë. Pas fitores së Kokimit, më 1673, turqit e kanë frikë më shumë se murtajën. Do ta shpartallojë me një frymë”.
Disa nga turma nuk arrijnë ta kuptojnë mirë se cili është shkaku i kësaj lufte të re.
“Mendoja se turqit qenë nxjerrë jashtë loje që kuri! Po çuditem! Tani po e dëgjoj se paskan sulmuar përsëri. E kë? Austrinë…
Disa njerëz, që besojnë se e njohin më mirë situatën, u shpjegojnë të tjerëve:
“Gjithë fajin e ka Luigji XIV, mbreti i Francës. Ai e gatoi këtë çorbë derri! Pagoi hungarezët për të sulmuar perandorin austriak. Turqve iu duk e pabesueshme kjo mundësi që po u jepej nga vetë evropianët, për t’i shtrirë përsëri kthetrat drejt Kontinetit. Prandaj emëruan mbret kreun e hungarezëve. Siç e dini, Hungaria është nën sundimin austriak e ëndërron të bëhet e pavarur. Kështu, të siguruar nga premtimet e Francës e të Turqisë, hungarezët iu sulën Austrisë. Falë aletëve, ajo që sulmojnë sot turqit, është një Austri më e ligshtë se kurrë… “.
“Po ky Luigji XIV s’e paska kokën në vend, që mbjell ngatërresa të tilla, të cilat mund t’i kushtojnë tepër shtrenjt gjithë Evropës…”.
“Është verbuar nga interesat e Francës, e cila kërkon të zgjërohet sa më shumë që të mundet, edhe në kurriz të fqinjve…”.
“Ndërkaq krijon rrezikun t’i hapë portat e Evropës myslimanëve. E atëherë, lamtumirë krishterim… “.“Pikërisht për këtë arsye Papa i kërkoi mbretit tonë të niset e ta çlirojë Vjenën”.
Më 12 shtator 1683, në portat e Vjenës, ushtria turke pa duke dalë nga pylli ushtrinë e panumërt që kishte ardhur t’i ndihmonte të rrethuarit. Mbi kokat e ushtarëve, dallohej koka e një kalorësi të madh e të fuqishëm, me një armaturë të kaltër, që nuk mbrohej fare. I paraprirë nga një flamur, që njihej menjëherë, Jan Sobieski e di se kundërshtarit i hyn data vetëm nga pamja e tij. Sa e shikojnë turqit, ia mbathin këmbëve, pa pritur të fillojë beteja vendimtare. Viena çlirohet, krishterimi nuk ka pse të trembet më, Papa ngushëllohet… e Jan Sobieski, i lumtur për fitoren, e di mirë se kush ia siguroi suksesin. Si gjithmonë, fitoi me ndihmën e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.