2008-07-25 17:52:03

Papa priti në Kastel Gandolfo kryeministrin irakian, Al Maliki: dënim i përbashkët i terrorizmit.


(25.07.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI priti në audiencë shkelqësinë e tij, Nuri Kamel al–Maliki, kryeministër i Republikës së Irakut. Papa dhe kryeministri irakian dënuan bashkërisht terrorizmin. Më pas ripohuan vlerën e madhe të dialogut ndërfetar, duke e parë si rrugë për mirëkuptimin fetar e për bashkëjetesën civile. Kryeministri, i cili dje zbriti në Kriptën e Vatikanit për të nderuar kujtimin e Gjon Palit II, e ftoi Papën të vizitojë Irakun.
Para takimit me Benediktin XVI, kryeministri Maliki vizitoi edhe sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej nga Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì.
Bisedimet – saktëson një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - zhvilluar në një atmosferë të përzemërt, u përqendruan tek disa aspekte themelore të situatës irakiane, duke pasur parasysh edhe kontekstin zonal. Vëmendje e posaçme iu kushtua temës së refugjatëve të shumtë irakianë, brenda e jashtë vendit, që kanë nevojë për asistencë edhe në rast se krijohen kushte për t’u rikthyer në atdhe, gjë që urohet të ndodhë sa më shpejt.
U dënua përsëri dhuna e cila pothuajse çdo ditë trondit pjesë të ndryshme të vendit, pa kursyer bashkësitë e krishtera, që e ndjejnë më shumë se kurrë nevojën për të qenë më të sigurta. E kjo, sepse vitet e fundit bashkësia e krishterë po i nënshtrohet gjithnjë më shumë persekutimit, gjë që e dëshmojnë disa ngjarje tragjike. Kujtojmë se më 3 qershor 2007, në Mosul, u vranë famullitari i Kishës së Shpirtit Shenjt, atë Reget Ganni me tre diakonë; në shkurt 2008 u rrëmbye dhe u vra imzot Paulos Farai Rahho, kryeipeshkvi kalde i Mosulit. Është derdhur pra, gjak, por nuk kanë munguar as shqetësime të tjera, që nuk pasqyrohen nga mediat, si sulmi kundër kryeipeshkvisë së Mosulit në dhjetor të vitit 2004; bombat kundër kishave në vitet e mëpasme; rrëmbimi në janar 2005 i ipeshkvit siro-katolik të Mosulit, imzot Gjorgj Kasmusa e i shumë të krishterëve irakianë. Qindra-mijëra njerëz detyrohen të braktisin vendin, për shkak të dhunës së vazhdueshme e të krizës së thellë ekonomike. Megjithatë, në një skenë kaq dramatike, nuk mungojnë as shenjat e shpresës. Gjatë takmit të sotëm, të dyja palët uruan që Iraku të gjejë vendosmërisht rrugën e paqes e të zhvillimit, përmes dialogut e bashkëpunimit të të gjithë grupeve dhe etnive fetare, përfshirë edhe pakicat të cilat, duke respektuar identitetet përkatëse, me frymën e pajtimit e të kërkimit të së mirës së përbashkët, duhet të punojnë së bashku për rindërtimin moral e civil të vendit. U ripohua me forcë edhe rëndësia e dialogut ndërfetar, si rrugë për mirëkuptimin fetar e bashkëjetesën qytetare.
Pas përfudimit të takmit, Benedikti XVI e Al-Maliki shkëmbyen dhuratat tradicionale: Papa mori si dhuratë nga mysafiri i largët, një palmë argjendi, ndërsa dhuroi një penë përkujtimore, realizuar me rastin e 500-vjetorit të Bazilikës së Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.