Më 25 korrik, 40-vjet më parë, Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’.
(25.08.2008 RV)“Detyra e vështrirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të
cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues,
ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”. Me
këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ, së cilës Benedikti
XVI i kushtoi një reflektim të thellë, me rastin e një takimi, organizuar në Universitetin
e Lateranit. E quajti fryt i një “vendimi të thelluar”, “gjest guximtar në përpjekjen
për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës”. Është fjala për
një mësim jo të lehtë, mbi “një të vërtetë të pandryshueshme”, që pas kaq kohe e nxjerr
edhe më në pah “largpamësinë me të cilën përballohet problemi”. Pa e lënë vetën
të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore
ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Eshtë
një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që
ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes,
e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë,
që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit
nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë”, që sot
çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV -ve e i kompjuterave
tonë. Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke
marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut,
të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë.E, si pasojë, njeriu nuk bëhet
aspak më i lumtur, përkundrazi, “mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që – siç thotë
Papa – rri gjithnjë në pritë”. Ndërsa “dashuria dhe arsyeja së bashku – vijon Benedikti
XVI – mund të bëjnë diçka shumë të madhe”: Po: duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen
e për të nesërmen. Për të gjithë!