Mijëra besimtarë e shtegtarë në Santiago të Kompostelës për të kremtuar festën e Shën
Jakut.
(25.07.2008 RV) Jaku, i lindur në Betsaide, ishte vëllau i Shën Gjonit ungjilltar
e i biri i Zebedeut dhe i Salomesë, që banonin në brigjet e liqenit të Tiberiades.
E ndoqi Jezusin pas që nga fillimet e predikimit të Tij, menjëherë pas Simonit e Andreut.
Lindi, pastaj, kolegji i Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët qenë dëshmitarë të Shndërrimit
të Krishtit, të ringjalljes të së bijës së Jairit e të natës më tragjike të njerëzimit,
asaj të Gjetsemanit. Njohim edhe nënën e Shën Jakut, Salomenë, e cila nuk shquhej
edhe aq shumë për virtyte. Mjafton të kujtojmë se kërkoi vende të posaçme në mbretërinë
qiellore për të bijtë, të cilët u treguan të gatshëm ta pinin po atë kelk që do të
pinte Krishti. E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të
parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua
në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep
Besëlidhja së Re për Jakun e Madh. Sipas një tradite që nis në shekullin VI, Jaku
qe ungjillëzusi i parë i Spanjës, prandaj edhe u varros në Kompostelë. Varri me reliket
e tij, mbartur nga Jeruzalemi pas martirizimit, u zbulua në kohën e Karlit të Madh,
në vitin 814. U bë menjëherë cak shtegtimesh të mëdha mesjetare, aq sa edhe vetë vendi
mori emrin “ShënJaku – SantJago e aty, në vitin 1075 u ndërtua një nga bazilikat
më të mëdha të krishterimit. Kujtojmë se emri i Shenjtit, Jakob në italisht, Jak
në shqip, në spanjisht shqiptohet Yago. Emri Jak vjen nga hebraishtja e do të
thotë “që ndjek Zotin”. U quajt “i madh” për t’u dalluar nga apostulli me të njëjtin
emër, Jaku i Alfeut. Është Pajtor i shtegtarëve, i kalorësve, i njerëzve që vuajnë
nga reumatizmi. Simbolet e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit. E
festa e Shën Jakut, u kremtua sot me madhështi në Spanjën që e ka për Pajtor e mbështetet
në ndërmjetësimin e tij me fe e traditë. Liturgjinë solemne eukaristike e kryesoi
kryeipeshkvi dioqezan, Imzot Julian Barrio Barrio. Gjatë kremtimit, që u mbajt
në katedralen kushtuar Shenjtit Pajtor, kryetari i bashkisë, Hosé Sanchez Bugallo,
delegat mbretëror, paraqiti “ofrend-ën” apo lutjen tradicionale drejtuar Apostullit.
Më pas, procesioni me reliken e Shenjtit nëpër rrugët kryesore të qytetit.Në kremtimin,
tashmë shumshekullor, ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë
të cilët nisen nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të
Apostullit. Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen
e bëhen një rrugë e vetme…”. me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”.
E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër
rrugët, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh.