2008-07-24 16:59:05

Impenjimet e Benediktit XVI, pas pushimeve verore në Alto Adigje, në intervistën e Atë Federiko Lombardit.


(24.07.2008 RV)RealAudioMP3 Janë ditë pushimi të pjesshëm, këto që Benedikti XVI po kalon në selinë e tij të Kastel Gandolfos, në pritje të pushimeve të afërta në bjeshkët e Bresanones. Për nesër, pritet një audiencë e rëndësishme; Papa do të takohet me kryeministrin irakian, Nuri-al Maliki. Të dielën do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos, ndërsa të hënën do të niset për në Alto Adigje. Por, pavarësisht nga pushimet, tashmë të afërta, vijojnë përgatitjet për shtegtimet e ardhshme të Papës në muajin shtator: më parë në Kaliari e më pas në Paris e në Lurdë. Për këto takime, duke nisur nga audienca me kryeministrin irakian, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit dhe të Radios sonë, Atë Federiko Lombardi:

 
Përgjigje: - Kjo audiencë me kryeministrin e Irakut, natyrisht, ka një domethënie të madhe, sepse na sjell menjëherë në mend problematikën e paqes në botë e në një zonë kaq të rëndësishme, siç është Lindja e Mesme. Por edhe problemet e rënda të katolikëve e të të krishterëve në përgjithësi, në këtë vend, ku e dimë mirë se jetojnë në kushte të vështira; kujtomë edhe vdekjen e imzot Rahho-s si dhe emigrimin, në një farë mënyre të detyruar, të një shumice të krishterësh nga ky vend. Është, prandaj, një komb, të cilin të gjithë e shikojmë me shumë shqetësim. Papa natyrisht lutet për të çdo ditë.

 
Pyetje: - Të hënën e ardhshme Papa do të shkojë në Bresanone, në Alto Adigje, për një periudhë pushimi, që do të zgjasë deri më 11 gusht…

 
Përgjigje: - Bresanone si vend pushimi është diçka e re, në krahasim me vitet e kaluara. Papa e zgjodhi vetë këtë zonë, që lidhet me shumë kujtime të jetës së tij. Shtoj edhe se është vend me vlerë të veçantë për kulturën e gjuhën gjermane. Kjo, që ne e quajmë Alto Adigje e që në gjermanisht quhet Südtirol, është një pikë themelore për historinë e për gjuhën gjermane e Papa, si njeri i madh kulture, mund të ndjehet si në shtëpi të vet në këtë zonë. Shpresojmë se do të pushojë vërtetë. Sepse nuk ka impenjime të tjera, veç takimit tradicional me meshtarët vendas.

 
Pyetje: - E pastaj, impenjimet e shtatorit…

 
Përgjigje: - Natyrisht ne shikojmë edhe shtatorin, kur Papa do të rifillojë menjëherë veprimtaritë e rëndësishme: shtegtimin në Kaliari e shtegtimin në Francë: në Paris e në Lurdë. Më pas do të jetë sinodi i ipeshkvijve për të cilin, natyrisht, Papa ka filluar të përgatitet. Ka shumë mundësi t’i kushtojë ca kohë – në se gjithçka shkon mirë, në se pushon e ka kushtet e nevojshme për punë - pjesës së dytë të librit mbi Jezusin e edhe plotësimit të enciklikës së tij shoqërore, të cilën e presim prej kohe. Ose, ku ta dish, ndoshta mendon për diçka tjetër: edhe vitin e kaluar na dhuroi Enciklikën mbi shpresën, të cilën nuk e prisnim, por që pa dritën në atmosferën e lutjes e të reflektimit të tij. Të shpresojmë pra, se do të jetë kohë e mirë për Papën, kohë në të cilën do të realizohen të gjitha qëllimet e pushimit fizik e shpirtëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.