2008-07-24 16:59:21

Atmosferë pritjeje në Bresanone, për arritjen e Papës. Me ne, imzot Eger.


(24.07.2008 RV)RealAudioMP3 Do të jetë ai që, të hënën e ardhshme, do t’i urojë mirëseardhjen Atit të Shenjtë, së bashku me autoritetet civile, ndërsa këmbanat do të bien të gjitha përnjëherësh, në shenjë përshëndetjeje. Imzot Vilhelm Eger, ipeshkëv i Bolzano-Bresanones, përgatitet për të pritur Benediktin XVI, i cili do të arrijë këtu më 28 korrik, për të kaluar 15 ditë pushimi në bjeshkët e Bresanones, ku do të qëndrojë deri më 11 gusht. Dihet prej kohe se dy veprimtaritë kryesore publike të Papës gjatë pushimeve, do të jenë kremtimet e dy lutjeve të Engjëllit të Tënzot, më 3 e më 10 gusht, në Sheshin e Katedrales. Duke folur para mikrofonit të Radio Vatikanit, imzot Eger e përshkruan kështu atmosferën që ndjehet në qytet e në të gjithë dioqezën e tij:

Përgjigje: - Pritet me padurim arritja e Atit të Shenjtë për pushime. Shumë njerëz më thotë se e ndjejnë veten të gëzuar, e edhe të nderuar, që Papa do t’i kalojë pushimet ndërmjet nesh. Tashmë jemi përgatitur për pritjen, madje kemi gati edhe listën e njerëzve që do të jenë të pranishëm në lutjen e Engjëllit të Tënzot. E kjo, sepse Papa do ta kremtojë lutjen mariane në Sheshin e Katedrales, ku mund të hyjnë vetëm nëntë mijë vetë. Për siguri, të gjithë kanë regjistruar emrin dhe numrin e kartës së identiteit, e kështu e dimë kush janë këto nëntë mijë vetë.

 
Pyetje: - Imzot Eger, do të ketë edhe ndonjë kremtim tjetër papnor publik, apo vetëm këto dy lutje mariane?

 
Përgjigje: - Impenjimi i parë, që ne po e quajmë publik, është arritja në sheshin para seminarit. Do ta presim në një atmosferë familjare, pa fjalime zyrtare. Pastaj dy lutjet mariane, e pastaj akoma, një takim me klerin më 6 gusht e pastaj festa e bukur e Shndërrimit të Zotit, ditë liturgjike në shenjë. Këto ditë po mbledhim pyetjet, që duan t’i bëjnë meshtarët Papës, i cili ka shprehur gatishmërinë t’u përgjigjet pyetjeve të sakta. Të shumtë, janë pastaj, njerëzit që do të dëshironin ta takonin Atin e Shenjtë. Dikush dëshiron ta ftojë për drekë, një tjetër, propozon shëtitje të mrekullueshme, një tjetër akoma, ëndërron një bisedë teologjiko- baritore me të. Koordinatori i pushimeve papnore më tha se nuk i ka numruar më propozimet, mbasi kaluan numrin 200.

 
Pyetje: - Me sa dimë, nuk është hera e parë që Papa pushon këtu. Prandaj mund të themi se njeh mirë zonën…

 
Përgjigje: - Më vinin gjithnjë kërkesat e tij për ta pritur në seminarin e madh. Çdo vit një letër shumë delikate e në fund, edhe një falënderim. Kur ishte ende kardinal, Papa i kaloi dhjetë herë pushimet në seminarin e madh. Shpresojmë se edhe këtë herë do të gjejë atë qetësi që dëshiron, sidomos për kohën e lutjes. Por i pëlqen shumë edhe biblioteka e seminarit. Ndoshta edhe këtë herë do të ulet për të shkruar diçka të re. Ne shpresojmë se do të gjejë këtu pushimin e duhur për shpirtin e për korpin. Na takon ne ta mbrojmë pushimin e tij, përballë gjithë këtyre kërkesave. T’i sigurojmë atë qetësi, për të cilën ka aq shumë nevojë, pas impenjimeve të forta të javëve të fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.