Sot Kisha kremtoi Shën Brigjidën e Suedisë, Pajtore e Evropës.
(23.07.2008 RV)Lindi në Finstad të Suedisë në qershor të vitit 1302 në një
familje fisnike, thellësisht të krishterë. I jati, Birgen Person, gjykatës dhe governator
i zonës Upplan, njihet si autor i legjislacionit të parë të krishterë në mbretërinë
e Suedisë. Brigjida, e martuar në moshë të re, qe bashkëshorte e nënë shembullore
e tetë fëmijëve. Pas vdekjes së burrit, u dha pas jetës asketike. Më 1350 shtegtoi
drejt Romës me rastin e jubileut e nuk u kthye më në atdhe. Themeloi urdhërin rregulltar
të të Shëlbuemit, që njihet edhe me emrin ‘Urdhëri i Brigjidineve’. Vdiq në Romë më
1373. Papa Gjon Pali II e quajti Shën Brigjidën “specialiste e shpirtit" dhe
i ftoi simotrat e saj të jenë kudo ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të madh të
shenjtërisë. E Benedikti XVI, duke folur dy vjet më parë për Shën Brigjidën,
Pajtore e Evropës, në ditën e festës së saj, theksoi “Erdhi nga Suedia në Romë
e, prej këndej, shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin
të gjejë paqën e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”. Kujtojmë se Urdhëri i Brigjidineve,
veprimtaria ekumenike e të cilit vlerësohet shumë në viset veriore të Evropës, ku
ka pak katolikë e ku prandaj dialogu është më i rëndësishëm se gjetiu, sot numron
600 rregulltare dhe 45 bashkësi të përhapura në mbarë botën. Abadesha e përgjithshme
e Urdhërit prej shumë vjetësh, është Nënë Tekla Familieti, që e kujton kështu Nënën
themeluse: “Amor Meuus Crocifixus est” – “Dashuria ime është i Kryqëzuari” – ishte
motua e saj. Karizma e saj ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për
shpërblim të mëkateve dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë
dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë. Pati meritën t’i bënte të vërtetat
e fesë të kuptueshme për popullin, sepse i foli me një gjuhë që ndizte fantazinë,
prekte zemrat, hapte horizontet e amshimit.