2008-07-22 17:13:36

Papa, në përfundim të DBR-së së Sidneit: “Të rinjtë janë të thirrur të ndërtojnë qytetërimin e dashurisë me forcën e Shpirtit Shenjt”.


(22.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Pata gëzimin të takoj të rinj, ardhur nga mbarë bota, të gatshëm për kontribuar bujarisht në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë, me forcën e Shpirtit Shenjt” – këtë pohoi Benedikti XVI në një telegram, drejtuar presidentit të Republikës italiane Gjorgjio Napolitano, sapo u rikthye nga DBR-së e Sidneit.
Ati i Shenjtë arriti mbrëmë nga Sidnei në Romë pak para orës 23. 00. Avioni i posaçëm, Boeing 747 i shoqërisë australiane Kantas, u ul në aeroportin ushtarak të Çampinos në orën 22. 58.
Në shkallën e avionit Papën Razinger e përshëndeti zevendës-sekretari i Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Gjani Leta. Të pranishëm edhe ambasadori i Italisë pranë Selisë së Shenjtë, Antonio Xanardi Landi e shumë personalitete të tjera politike e kishtare. Papa ua ktheu përshëndetjen e më pas u nis për në selinë e tij verore të Kastel Gandolfos.
Më 28 korrik Benedikti XVI do të niset për një periudhë pushimesh në Bresanone, ku do të qëndrojë deri më 11 gusht. Sivjet Papa do të banojë në Shtëpinë e seminarit, në të cilën ka kaluar disa herë pushimet, kur ishte kardinal.
Audiencat e përgjithme do të rifillojnë rregullisht që nga data 13 gusht e edhe lutja e Engjëllit të Tënzot në të dielat e solemnitetet e periudhës verore, do të kremtohet nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos.
Por, tani që DBR-së përfundoi , ç’mbetet nga kjo ngjarje e madhe kishtare? Fjalën e ka i dërguari i Radios sonë, Roberto Piermarini:

“Mbetet mahnitja e Sidneit, qytet modern, i shekullarizuar, që e kufizon fenë në jetën private, në fillim i akullt e indiferent, por që më pas ndjeu një tërheqje të pakundërshtueshme përballë figurës së Benediktit XVI, i cili nuk ishte atje thjeshtë si mësues, por si mëkëmbës i Krishtit, për të kumtuar – përballë relativizmit sundues - të vërtetën e Ungjillit.
Mbetet fjala e Papës. Fjalë e qartë, që pohon se Kisha e do shumë jetën, nga zënia deri në perëndimin e saj të natyrshëm, se e do edhe natyrën e krijuar prej Hyjit; se njeriu - sipas shembëlltyrës së Hyjit, u krijua për dashuri, e prandaj është i lum vetëm kur dashuron, kur dhurohet, si na e mëson e Lumja australiane, Meri Mëkilop; se idhujt e botës, si pasuria, dashuria egoiste e pushteti, e mashtrojnë njeriun i cili, në vend të jetës, gjen vdekjen.
Mbetet dhimbja e thellë e Benediktit XVI, që nuk e fshehu shkandullin e shpërdorimeve seksuale të kryera nga kleri mbi të miturit; i quajti krime të shëmtuara, që e dëmtojnë rëndë dëshminë e Kishës, kërkoi që viktimat të trajtohen me dhembshuri. E takimi që pati me këto vittima, do të mbetet simbol i kujdesit të thellë baritor të Papës.
Mbetet befasimi i shtypit australian, i cili u mahnit nga freskia e nga gëzimi i jetës, që shpërthente nga gjithë ata të rinj. “Janë të përzemërt, entuziastë e krejtësisht larg nga ai cinizëm, që shpesh herë e tërheq poshtë e më poshtë shoqërinë tonë” - shkroi këto ditë një gazetë vendase.
Mbetet dëshmia e mijëra të rinjve nga të katër anët e botës, që sfiduan largësinë, shpenzimet e mëdha të udhëtimit e shumë vështirësi të tjera. Por me dëshminë e tyre treguan se Kisha është e re, është mike e të rinjve e se në këto Ditë, dëshiron t’i kërkojë, t’i dëgjojë, t’i shoqërojë e t’i mësojë.
Mbetet heshtja e më se 230 mijë të rinjve në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament gjatë Natës së Lutjes së Rënduikut, ku Krishti ishte i pranishëm në mesin e tyre.
Mbetet emocioni i të rinjve dhe banorëve të Sidneit, qytet gjithnjë më larg Zotit, që nuk mundi të mos preket, kur pa Udhën e Kryqit që përshkohej nëpër rrugët e qytetit, për të arritur në çastet kulmore, simbolike, të kryqëzimit e uljes së Krishtit nga kryqi.
Mbetet figura e aborigjenëve, e njerëzve të lindur në këto troje, që kërkojnë një rol në këtë shoqëri shumetnike. I pamë vetëm në aspektin e tyre folkloristik, ndërsa tani vendi duhet të vijojë përpjekjet për t’i integruar në nivelin edukativ e shoqëror.
Mbetet vetëdija se DBR-së nuk është thjeshtë fryt i intuitës së një pape, por tashmë – siç u shpreh kardinali Pel – është ngjarje që bën pjesë në jetën e Kishës.
Mbetet hiri i Shpirtit Shenjt, i pranishëm në këto ditë të Sidneit, që falë të rinjve, ardhur nga të gjitha skajet e kulturat, e shndërroi takimin në këtë metropol të madh, në Rrëshajët e reja.
E, së fundi mbetet ‘Aleluja”, himni që shoqëroi të gjitha çastet më prekëse të kësaj DBR-së, falënderim muzikor ndaj Hyjit për këtë ngjarje e për të gjitha farët e shenjtërisë që mbolli në zemrat e të rinjve, të cilat nuk mund të mos japin fryte!







All the contents on this site are copyrighted ©.