2008-07-22 18:12:06

Kapet krimineli i luftës, Radovan Karaxhiq. Komenti i Antonio Kasezes.


(22.07.2008 RV)RealAudioMP3 U deshën 13 vjet për të kapur ish-liderin e serbëve të Bosnjës, por zyrtarisht që mbrëmë, Radovan Karaxhiq, i akuzuar për genocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës, ndodhet tashmë në duart e drejtësisë. Para gjykatësit Milan Dilpariç, i cili e mori në pyetje, Karaxhiq shqiptoi vetëm fjalët “është e gjitha një farsë” dhe pastaj nuk u përgjigj më. Ka vërtet përmasat e farsës kapja e tij, pikërisht para mbledhjes së Këshillit evropian të ministrave të jashtëm, ku do të diskutohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Brukselit. Sipas avokatit të Karaxhiqit, ai është kapur që të premten mbrëmë, por lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht. Gjithsesi, është mëse e qartë se ish-lideri i serbëve të Bosnjës i është dorëzuar drejtësisë në momentin e duhur. Gjykatësi ka nënshkruar tashmë transferimin e tij në Hagë, ku presin me padurim që të kapet edhe krimineli tjetër, gjenerali Ratko Mlladiq. Të dëgjojmë komentin e Antonio Kasezes, ish-kryetarit të Gjykatës së Hagës, në mikrofonin e Radios sonë. Çfarë solli në kapjen e Karaxhiqit?
Ndryshimi i qeverisë në Serbi dhe dëshira e madhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, pra arësye pastërtisht politike. Me trishtim mendoj se ky detyrim ndërkombëtar ekzistonte që nga viti 1995 për të gjitha vendet e rajonit, por askush nuk e respektoi. Qe e nevojshme që të ndërhynte një motivacion politiko-ekonomik, për të plotësuar këtë detyrim e për të arrestuar Karaxhiqin, duke ia dorëzuar Gjykatës së Hagës.
Kryetari i Komisionit Evropian, Barroso deklaroi se ky është një fakt pozitiv, që do të kontribuojë në vendosjen e drejtësisë në Ballkan. A ju duket edhe juve kështu, profesor Kaseze?
Po, mendoj se po, pasi në të vërtetë Barroso sheh se, nga këndvështrimi i integrimit gradual të Serbisë në Bashkimin Evropian, ky është një fakt pozitiv. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian mund ta kushtëzojë procesin demokratik në Serbi e do të përpiqet ta spastrojë gjithnjë e më shumë nacionalizmin, i cili mishërohej në kryeministrin Koshtunica, tashmë lënë mënjanë. Falë mungesës së tij u arrit në këtë kthesë. Gjithashtu, në Beograd, që prej disa vitesh, drejtësia po ecën më mirë përpara e mund të mendohet dorëzimi i disa të arrestuarve, që ndodhen në burgun e Hagës, në duart e autoriteteve të Beogradit. Tani, kemi shpresë të bazuar, se proceset e tyre do të jenë të drejta.
Radovan Karaxhiq, 63 vjeç, fshihej nën identitetin e gënjeshtërt të një mjeku omeopat. Quhej Dragan David Dabiç, kishte lënë mjekërr e flokë të gjatë, dhe punonte i pashqetësuar në një klinikë private në Beograd, madje mbante edhe konferenca. Karaxhiq konsiderohet ideatori i masakrës së Srebrenicës, viktimat zyrtare të së cilës, në verën e vitit 1995, qenë 7.800, por për shoqatat e familjeve të viktimave, ato janë mëse 10.000. Masakra konsiderohet genocid nga Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë dhe më e tmerrshmja pas Luftës II Botërore. Ja ç’kujton Mubina Calik, boshnjake që shpëtoi nga tmerri i Srebrenicës:
Në 92-shin, kur filloi lufta në Bosnjë, isha vajzë 10-vjeçare. Gjatë atyre tri vjetëve të luftës kujtoj veç të vdekur e të plagosur. Më duket sikur kam jetuar në një film, që fillon në mëngjes e mbaron në mbrëmje. Më dukej sikur jetoja një ditë të gjatë, tepër të gjatë, e kujtoj se më vinte çudi se si në një ditë të vetme mund të ndodhnin gjithë ato gjëra. Kujtoj se serbët hynë në Srebrenicë dhe masakruan kë mundën. Kam parë Mlladiqin të vrasë, kam parë persona të tjerë që vrisnin, pashë kolegët serbë të tim eti, që kanë qenë miqtë e tij më të mirë, të vrisnin; kam parë se si i merrnin të rinjtë e fëmijët. Nuk do të kthehem më kurrë në Bosnjë, megjithëse nostalgjia është e madhe. Në masakrën e Srebrenicës humba tim atë e të gjithë familjarët e mi, duke mbetur jetime e refugjate përgjithmonë.
Boshnjakja që sapo dëgjuam nuk është e vetmja që, e ndjekur nga hijet e luftës, nuk dëshiron të kthehet në qytetin që e lindi. Para pak vitesh, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Srebrenicës erdhi në Romë për një konferencë. Në sallën e mbushur plot, tha një frazë, që të nesërmen hapte faqet e para të gazetave italiane: “Srebenica ka më tepër banorë nën dhe, sesa mbi dhe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.