2008-07-22 17:17:46

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Bazilika e Shën Pjetrit në Romë, simbol i lumnisë së Hyjit".


(22.07.2008 RV)Jemi në vitin 1667 e, më në fund, Bazilika e Shën Pjetrit në Romë, është gati për të pritur besimtarët. Populli i qytetit të amshuar u magjeps para kësaj ndërtese vigane, të denjë për perandorët më të mëdhenj romakë. Kthehemi në shkëlqimin e lashtësisë, por këtë herë, për lumni të Zotit. U deshën dy shekuj e artistë të jashtëzakonshëm, për ta bërë këtë vend, stolinë e krishterimit.
Që në vitin 330 perandori Kostandin pati ndërtuar një bazilikë, mbi vendin ku qe varrosur Shën Pjetri Apostull e shtegtarët rendnin nga të katër anët për t’u lutur në këtë vend të shenjtë. Mbretër, shenjtorë, lypsarë gjunjëzoheshin vazhdimisht para elterit të madh. Por, me kalimin e viteve, Kisha ishte në rrezik të shembej e t’u binte mbi kokë besimtarëve. ..
Kështu në vitin 1499, Papa Juli II, merr vendimin e nevojshëm e ia beson Bramantes, një artisti gjenial, çelësat e kantierit të ri. Edhe Bramante është dashurues i arkitekturës së lashtë. E rrënon kishën e ndërtuar nga Kostandini, por pa harruar të ruajë një hapësirë për kremtimin e Meshës; më pas vë gurin e parë të një ndërtese, që do të kishte formën e kryqit grek, dmth me krahë të njëllojtë, e me kupolën si atë të Panteonit. Në lashtësi Panteoni ishte tempulli i gjithë hyjnive romake. Për Papën e për arkitektin e famshëm, bazilika e re duhet të bëhej tempulli i Zotit të vetëm e të vërtetë.
Pas vdekjes së Bramantes, Mikelanxhelo, që në këtë kohë ishte shtatëdhjetë e dy vjeç, pranon ta çojë punën e filluar deri në fund. Madje nuk do as të paguhet për kryerjen e detyrës tepër të vështirë, që e pret. Do të jetë dhurata e tij për Hyjin. Rishikon planin në formë kryqi e përpiqet ta bëjë sa më të ngjashëm me një rreth. Pastaj i kushtohet i tëri krijimit të kupolës. Kur vizitorët hyjnë në bazilikë, zakonisht ngrenë kokën drejt kupolës, që i magjeps me lartësinë e jashtëzakonshme e me dritën, që hyn prej saj e që duket sikur vjen drejtpërdrejtë nga qielli. Pas vdekjes së Mikelanxhelos, më 1564, ndërtimin e kupolës e përfundojnë Xhakomo della Porta e Domeniko Fontana. Por historia e ndërtimit të Bazilikës nuk përfundon këtu. Artistë të tjerë do të rindërtojnë navatën, të tjerë akoma, do t’i shtojnë një fasadë të re.
Njëqind vjet më vonë, arkitekti gjenial, Bernini, i jep dorën e fundit ndërtesës, duke i shtuar shtyllarin, që niset nga të dyja anët e bazilikës së Shën Pjetrit, si dy krahë të hapur. Ka nga ata që, në këto dy radhë të përsosura shtyllash, shikojnë shumë më tepër se një vepër arti: është një simbol vërtetë i fuqishëm: Bazilika më e madhe e krishterimit simbolizon vetë Krishtin, që i pret me krahë hapur të gjitha kombet dhe i fton të hyjnë në shtëpinë e Zotit të vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.