2008-07-21 18:02:28

Kujtojmë poetin, tregimtarin dhe studiuesin e madh shqiptar, Martin Camajn, në 83 vjetorin e lindjes.


(21.07.2008 RV)Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Mori edukatë klasike në Kolegjin Saverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Kur komunistët e mbyllën kolegjin, u arratis në ntologia, ku vijoi Universitetin e Beogradit. Studioi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë. Në verën e vitit 1956 shkoi në Romë, ku vijoi studimet, u doktorua, u lidh me botën arbëreshe dhe, nën kujdesin e Ernest Koliqit, u bët kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975). Më 1961 u transferua në Mynih ( ntolog), ku u ntologia a përfundimisht në gjuhësinë shqipe, pa u shkëputur nga letërsia. U emërua profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992.
Nga viti 1953 kur boton në Prishtinë veprën e parë të tij, vëllimin me poezi “Një fyell ndër male”, vargu i veprave të tij nuk ka të ndaluar. Përveç disa vëllimeve me poezi si “Legjenda”, botuar në Romë në vitin 1964, “ Lirika mes dy moteve”, “Njeriu më vete e me tjerë”, botuar në Mynih (1967-1978) dhe “Palimpsest”, Camaj ka botuar edhe romanet “Djella” (1964), “Dranja” (1981) “Shkundullima” (1981) dhe “Karpa”, (1987). Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar. Ndër studimet kryesore mund të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si dhe antologjia Këngë shqiptare, Düsseldorf 1974.

Ja si e kujton Hans-Joakim Lanksh, një nga studentët, më vonë mik e përkthye i tij në gjuhën gjermane, në një intervistë dhënë gazetës ‘Shqip’:

 
Përgjigje: - Për herë të parë e pashë Martin Camajn kur isha student i ri, në semestrin e dytë a të tretë, në nji ligjeratë të profesorit Alois Schmaus për filologjinë e gjuhëve ballkanike. Më ra ndër sy nji burrë shtatmadh dhe i pashëm që e fliste gjermanishten me theks të çuditshëm dhe mjaft ekzotik për veshin tim. Doktorantët dhe studentët e tjerë të vjetër silleshin rreth burrit shtatmadh me theks të çuditshëm, burrë ky që rrezatote autoritet dhe dije. Mbas ligjerate, studentët kishin zakon me ndêjtë në nji kafené ballë përballë universitetit, te "Papa Schmidt" ("Baba Shmit") ku, përndryshe, profesori ynë Schmaus (i cili fliste rrjedhshëm rusishten, serbishten, çekishten, bullgarishten, shqipen, rumanishten, greqishten, turqishten dhe arabishten dhe i cili nuk mund të jetote pa kafe dhe cigare) kishte zakon me u takue me studentët e tij për të diskutue problemet e tyne. Mbas ligjeratës së profesorit Schmaus, te "Papa Schmidt", burri shtatmadh dhe me theks të çuditshëm u bâ si nji si qendër e rrethit të studentëve dhe si këshilltar i tyne… Ky qe takimi im i parë me Martin Camajn.
Disa semestra mâ vonë vendosa me mësue gjuhën për të cilën profesori Schmaus na fliste me aq dashuni e pasion, shqipen, ku pedagogun e shqipes e kisha shì burrin shtatmadh e me theks ekzotik. Me kohë, marrëdhania mësues-nxanës dhe mbasandej autor-përkthyes u bâ miqësi.

 
Pyetje: - Ju u bëtë përkthyesi i Martin Camajt në gjermanisht, përse zgjodhët pikërisht letërsinë e tij, çfarë ju tërhoqi më shumë tek letërsia e tij?

 
Përgjigje: -Kurrë nuk kam vendosë me u bâ përkthyes i Camajt a lëre i poezisë shqipe. Nji ditë konstatuem që unë përkthejsha poezi të ekspresionistit slloven Sreçko Kosovel, ndërsa profesori shkruete poezi. Kur më tha se do të ma sillte dikur librin e vet, mbeta mjaft skeptik – dihet se, zakonisht, letërsia e profesorave dhe e diplomatëve âsht e dobët... Kur u ballafaqova me poezitë e Martin Camajt, më magjepsi bukuria e tyne, ndërthurja e tingujve, muzika intime e tingujve të gjuhës së tyne, ritmi i mrekullueshëm i kangëve popullore. Mbas shikimit në bukurinë e jashtme të këtyne poezive, më tërhoqi kombinacioni i kompleksitetit të tyne me thjeshtësinë e dukjes së tyne, më fascinoi simbioza e arkaikes me modernën dmth. ato ishin poezi moderne mbi nji substrat arkaik elementesh të letërsisë gojore, më pëlqente trajta e tyne eliptike, lapidare dhe lakonike. Poezitë e Martin Camajt përmbajnë pikërisht aq fjalë sa duhen, asnji mâ tepër dhe as edhe nji mâ pak… Mbeta si i shituem prej bukurisë së jashtme e të mbrendshme të poezisë camajane, isha i bindun se kjo poezi duhet të përkthehet e të njihet përjashta Shqipniet…

 
Camaj vdiq, më 12 mars të vitit 1992, në Lenggries të Bavarisë. Fjalët e fundit të poetit ishin: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.