2008-07-21 18:01:50

Kisha anglikane rrezikon skizëm në Lambet


(21.07.2008 RV)RealAudioMP3 Hyn në momentet më të rëndësishme Konferenca e Lambetit, që mbledh në katedralen e Kanterburit mëse 600 ipeshkvij anglikanë. Në qendër të takimit dy çështje thelbësore: shugurimi ipeshkvnor i grave dhe i homoseksualëve. Argumente që rrezikojnë ta ndajnë Kishën anglikane, duke shkaktuar një skizëm brenda saj. Rreth 200 ipeshkvij anglikanë, të lidhur me traditën apostolike, nuk kanë dashur të marrin pjesë në këtë mbledhje. Të dëgjojmë si po shkojnë punimet e asamblesë, në informacionin e të dërguarit të gazetës italiane kishtare “Avvenire” në Kanterburi, Andrea Gali:
Është një konferencë shumë interesante, e ndjekur mirë nga mediat angleze, e jo vetëm nga ato të Anglisë. Vetë Rouan Uilliams, kryeipeshkvi i Kanterburit, pranoi se momenti është shumë kritik për bashkësinë anglikane. Dje, në ceremoninë e hapjes së punimeve foli vetë Rouan Uilliams dhe një pastor nga Sri Lanka. Dy fjalime, që kishin për qëllim t’i jepnin tonin mbledhjes, e cila në të vërtetë filloi sot. Dy ndërhyrje, që theksuan çështjen e bashkimit, për të shmangur ndarje apo skizma. Ishte i pranishëm edhe Xhim Robinson, ipeshkvi i famshëm i Nju Hempshajër, apo guri i shkandullit: ky do të ishte ipeshkvi homoseksual, shuguruar në vitin 2003, që ka ndezur debatin, në nivel global, mbi mundësinë e shugurimit të ipeshkvijve homoseksualë. Ishte i pranishëm në rreshtin e parë, megjithëse nuk është ftuar zyrtarisht në punimet e konferencës. Ekziston vetëdija se këtu luhet e ardhmja e bashkësisë anglikane.
Si u prit përshëndetja e Papës?
Përshëndetja e Papës u prit mirë, sëbashku me ato të përfaqësuesve të shquar të Kishave botërore, megjithëse në mesazh, që ishte nënshkruar nga kardinali Bertone, shprehej qartë problemi që krijohet në marrëdhëniet ekumenike, nëse miratohet shugurimi i grave në ministerin ipeshkvnor. Natyrisht, vështirësitë rriten e Bertone fliste qartë për një sfidë më të madhe, që sot del para perspektivës së bashkimit thelbësor ndërmjet Kishave, por, nga ana tjetër, përsëritej edhe dëshira për ta vazhduar dialogun. Pra, një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë, por edhe delikat në njëfarë kuptimi, prandaj u prit mirë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.