2008-07-21 18:04:27

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Martirët e Vietnamit".


(21.07.2008 RV)Maj 1640. Shiu bie me rrëmbesë. Si çdo vit, në Vietnam ka arritur monsoni. Në hyrje të gjykatës duken dy roje. Shoqërojnë në sallë të burgosurin Tomaz Tin. Gjykatësi e pyet me zë të egër: “Si guxove të braktisësh fenë e paraardhësve për t’u kthyer në fenë e portugezëve.
“Zoti kryetar”, përgjigjet Tomazi me zë të fuqishëm, “në se unë e shokët e mi zgjodhëm një fe të predikuar nga të huajtë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi respekt për paraardhësit tanë, të cilët i nderojmë me gjithë zemër; aq më pak, se nuk e çajmë kokën për vendin tonë. Zoti që adhurojmë nuk u përket vetëm portugezëve. Ashtu si dielli i ndriçon të gjitha kombet e tokës, kështu edhe Hyji i misionarëve portugezë, italianë a francezë, është edhe Zoti ynë”.
Ndërsa përgjigjet, Tomazi e ul paksa kokën, në shenjë respekti. Por kjo nuk e zbut fare kryetarin e gjykatës, të cilit përkundrazi, i duket se po trajtohet pa pikën e respektit. Përgjigja e Tomazit i duket tejet fyese. Prandaj, pa e zgjatur shumë, merr një vendim të prerë: vdekje! Pasi arrin tek vendi i ekzekutimit, Tomazi zemërohet, kur dëgjon aktakuzën. “Mbreti vendos të pushkatohen të gjithë ata, që respektojnë ligjin e portugezëve”. Tomazi e di se ta bindësh tjetrin, duke e paguar, është në kundërshtim me virtytet e krishtera, por në se bëhet për një kauzë të shenjtë, ndoshta-ndoshta… Nxjerr nga xhepi kacillet e fundit që i kanë mbetur e i përdor për të ndryshuar akt-akuzën. Fjalët ‘ligjin e portugezëve’ zevendësohen me ‘ligjin e Zotit të qiellit e të tokës”. Tomaz Tin nuk është i krishteri i parë që jep jetën në emër të fesë e, për fat të keq, nuk do të jetë as i fundmi. … Në shekullin XVII, në Vietman, krishterimi nuk pranohet aq lehtë. Të krishterët akuzohen se nuk i nderojnë paraardhësit e se nuk e respektojnë perandorin. Kanë guximin të nderojnë më shumë ‘Zotin e qiellit”, sesa sovranin e tyre, që është bir i qiellit. Mandarinët, e pas tyre edhe populli, janë të bindur se të krishterët duan të dalin nga rruga e urtisë. Prandaj duhen persekutuar pa pikë mëshire. Ndërmjet viteve 1640 e 1862 më se 70 mijë të krishterë vitnamezë do të derdhin gjakun për fenë. Kisha vietnameze lindi nga gjykatat, prej tribunave të të cilave të sapokthyerit në fenë e Krishtit dëshmuan se është e mundur të besosh në Zotin e, njëkohësisht, t’i qëndrosh besnik paraardhësve dhe vendit tënd.







All the contents on this site are copyrighted ©.