2008-07-20 15:42:51

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(20.07.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XVI të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtuan edhe Shën Apolineri, ipeshkëv i Ravenës e martir, Shën Elia profet e Shën Aureli, ipeshkëv i Kartagjenës.

Edhe pasi kanë parë me sytë e tyre mrekullitë e Jezusit, skribët e farizejtë vijojnë të kërkojnë ‘një shenjë’. Asnjë shenjë, e as ai i ngjalljes së Zotit, nuk mund ‘të shikohet’, në se mungon çiltërsia e zemrës. Këtë na kujtojnë Shën Lorenci nga Brindizi, meshtar kapuçin, dijetar i Kishës, Shën Prasedia romake dhe Shën Ezekieli profet, që do të kremtohet të hënën.

“Ka etje për ty, o Zot, shpirti im” – këtë thirrje të flaktë, na fton të përsërisim liturgjia e së martës, ditëfeste e Shën Marisë Madalenë, dishepulle e Krishtit, asaj që dëshmoi para apostujve: “Kam parë Zotin!”. Të gjithë ftohemi ta japim këtë dëshmi, duke ndryshuar rrugën e jetës sonë.

 
Të mërkurën do të kremtohet Shën Brigjida, rregulltare, Pajtore e Evropës e cila, me jetën kundruese, i transmetoi botës përvojën e takimit me Jezusin shëlbues.

Të njohësh misterin e mbretërisë së qiellit, do të thotë ta shikosh e ta dëgjosh Jezusin, me syrin e veshin e fesë. Kjo është lumni. I dallon dukshëm ata, të cilët e kanë këtë privilegj. Për këtë na shtyn të reflektojmë liturgjia e së enjtes, në festën e Shën Sharbel Makluf dhe Shën Krsitinës, virgjër e martire.

Të premten do të kremtohen Shën Jaku i Madh, apostull dhe Shën Kristofori, martir. Na kujtojnë se kush ndjek udhën e Kryqit, është i bindur se pas vdekjes, vjen ngjallja.

Liturgjia e festës së Shën Joakinit e Shën Anës, prindër të Zojës së Bekuar, që do të festohen të shtunën, na kujton se në jetën e njeriut e mira dhe e keqja janë të pandara, si gruri me egjrën. Po kjo nuk do të thotë se janë e njëjta gjë e se do të kenë të njëjtin fat, kur të vijë dita e të korrave!

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XVII të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.