Papa në Meshën përfundimtare të DBR-së: “Hapjani zemrat forcës së Shpirtit Shenjt,
për t’i çuar botës Krishtin”.
(20.07.2007 RV)Hapjani zemrën forcës
së Shpirtit Shenjt, për t’ia çuar botës Krishtin! Kjo është thirrja që u drejtoi sot
Papa të rinjve, të mbledhur në Hipodromin e Rënduikut për Meshën përfundimtare të
DBR-së në Sidnei. Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të kenë guximin për t’i thënë ‘po’
Krishtit. Dashuria e Hyjit – theksoi – mund ta ndikojë forcën e vet, vetëm kur i premtojmë
të ndryshojmë në thellësi të shpirtit. Nga Rënduiku – i dërguari i Radios sonë Roberto
Piermarini:
"235 mijë të rinjtë, që e kaluan gjithë
natën në Rënduik e përshëndetën me entuziazëm Papën, që arriti me helikopter e pastaj
kaloi ndërmjet radhëve të tyre me papamobil. Në elterin e kuq u ngjitën 500 kardinaj,
ipeshkvij e meshtarë bashkëkremtues. Meshën e shoqëroi një kor me 300 zëra e 80 instrumente
muzikore. Në fillim të Meshës, kardinali Pel i falënderoi të gjithë ata, që dhanë
kontributin e tyre për suksesin e kësaj DBR-së e sidomos të rinjtë që, pa marrë parasysh
asnjë flijim, erdhën këtu nga vende të largëta. Ju – nënvizoi kardinali – e nderuat
Australinë me praninë tuaj e me entuziazmin tuaj. Gjatë Meshës
Ungjilli u soll me valle nga një grup seminaristësh të Figjit, veshur me kostume tipike
tradicionale. Pastaj 24 të rinj nga mbarë bota morën Sakramentin e Krezmimit. The
Lord is asking you… Zoti kërkon nga ju të jeni profetë të epokës së
re, lajmëtarë të dashurisë së tij, të aftë për t’i tërhequr njerëzit drejt Atit e
për të ndërtuar një ardhmëri plot shpresë për mbarë njerëzimin – u tha të rinjve Papa,
duke rivënë në qendër të homelisë temën e Shpirtit Shenjt, që na bën dëshmitarët e
tij. Forca e Shpirtit Shenjt është forcë e jetës së Hyjit – vijoi Benedikti XVI –
është fuqi e atij Shpirti, që e ngjalli Jezusin nga të vdekurit. Është forca që na
prin ne e i prin edhe botës sonë drejt mbretërisë së Hyjit. Por hiri i Shpirtit Shenjt
– kujtoi Papa – nuk është diçka që mund ta meritojmë, ose ta fitojmë; mund ta marrim
vetëm si dhuratë. E kjo dhuratë, të cilën duhet ta kërkojmë me lutje, është e vetmja
që mund të fitojë mbi indiferencën tonë, mbi lodhjen tonë, mbi prirjen për t’iu përshtatur
kohës sonë. Benedikti XVI u drejtoi të rinjve pyetjet: ‘Ç’do t’u lini trashëgim breznive
të ardhshme?’ e ‘A ia krijoni hapësirën e duhur Shpirtit Shenjt, në mes të një bote
që do ta harrojë Zotin ose ta flakë, në emër të konceptit të një lirie të rreme?’.
E përforcuar nga Shpirti Shenjt, breznia e re e të krishterëve është e
thirrur të kontribuojë për ndërtimin një bote, në të cilën jeta mirëpritet, përkujdeset
me dashuri, pranohet, nuk shikohet si kërcënim e, prej këndej, nuk shkatërrohet –
theksoi me forcë Benedikti XVI - që në vijim pikturoi botën e re, në të cilën dashuria
nuk është e pangopur dhe egoiste, por e pastër, besnike dhe e lirë, plot respekt për
dinjitetin e tjetrit, dashuri që të shtyn drejt së mirës e që rrezaton gëzim e bukuri.
Në këtë epokë të re, shpresa do të na çlirojë nga cektësia, nga amullia e nga mbyllja
në vetvete, që i lëndojnë shpirtrat tonë e i vrerosin marrëdhëniet njerëzore. Kisha
ka nevojë për këtë përtritje – theksoi Ati i Shenjtë. - Kisha ka nevojë për gjithë
të rinjtë. Ka nevojë të rritet në forcën e Shpirtit Shenjt, që edhe sot ju jep gëzim
e ju frymëzon t’i shërbeni plot hare Zotit. Të jesh i vulosur me Shpirtin Shenjt,
do të thotë të mos kesh frikë ta mbrosh Krishtin, duke e lënë dritën e Ungjillit të
na e ndriçojë mënyrën si shohim, si mendojmë e si veprojmë, ndërsa punojmë për fitoren
e qytetërimit të dashurisë. May this Twenty-third World Youth Day…… Uroj
që Ditën e 23-të Botërore të Rinisë – tha në përfundim Papa – ta keni jetuar si një
Çenakull i ri, kështu që të gjithë ne, të përflakur nga zjarri i Shpirtit Shenjt,
t’ia kumtojmë Zotin të gjithëve, duke tërhequr çdo zemër drejt Tij".