2008-07-20 15:41:58

Mbresat e para nga DBR-së dhe vizita e Papës: me ne Atë Federiko Lombardi.


(20.07.2008 RV)Nesër Papa do të kalojë ditën e fundit të shtegtimit të tij në Sidnei. Pas përshëndetjes së 12 mijë vullnetarëve të DBR-së, do të shkojë në aeroportin ndërkombëtar të qytetit australian, ku do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës e pastaj do të niset për Romë. Por për Ditën e 23-të Botërore të Rinisë, të dëgjojmë komentin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
 
Pyetje: - Atë Lombardi, një përshtypje të shpejtë për këtë Ditë Botërore të Rinisë…

 
Përgjigje: - Është Ditë unike, natyrisht, sepse u zhvillua në një mjedis shumë të veçantë, në atë të Australisë. Admiroj impenjimin e australianëve e të Kishës australiane, falë të cilit u arritën rezultate vërtetë të dukshme, si për numrin e të rinjve që erdhën e për mënyrën si u zhvilluan manifestimet, ashtu edhe për pjesëmarrjen e gjithë qytetit. Posaçërisht Udha e Kryqit ishte një çast i veçantë, sepse, e kremtuar nëpër udhët e vendet më domethënëse të qytetit, i preku e i nxiti të gjithë të reflektojnë. Doli edhe njëherë në pah fakti se tradita e lashtë e Udhës së Kryqit vlen edhe për sot, për të propozuar me fryt një çast themelor të misterit të krishterë.

 
Pyetje: - Atë Lombardi, po bëhet traditë, pas Këlnit, edhe adhurimi eukaristik…

 
Përgjigje: - Po, në Natën e lutjes, që tradicionalisht ka pasur pamjen e festës, me këngë e me veprimtari të tjera, që duhet të vijojnë, të paktën pjesërisht, që nga Këlni u përfshi edhe ky element i posaçëm e i ri i adhurimit eukaristik. Sipas meje qe një akt i guximshëm, sepse nuk ishte e qartë në se do të realizohej me pjesëmarrje e lutje kaq impenjative, e do të jetohej me gjithë shpirt, shoqëruar me këngë e me reflektime të shkurtëra. Është një mesazh, që vë në dukje rëndësinë e uratës në qendër të jetës së krishterë e edhe të kësaj forme të posaçme të lutjes, që është adhurimi, shoqëruar me heshtjen para Zotit.

 
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për tonin e për fjalimet e Benediktit XVI në këtë DBR-së?

 
Përgjigje: - Ishte një katekizëm shumë i zgjëruar mbi jetën e krishterë: përqendruar mbi temën e Shpirtit Shenjt, por që nisi nga Pagëzimi, për të arritur tek Krezmimi, sakrament karakteristik i kësaj DBR-së. Papa foli, foli gjatë, foli qartë, por fjalimet e tij patën një përmbajtje shumë të pasur, të thellë, që nuk është lehtë të kuptohet menjëherë, sepse tepër e pasur me koncepte, por edhe me ndjenja shpirtërore. Këtë thellësi shpirtërore e prekëm posaçërisht kur Papa foli për të rinjtë që kalojnë vështirësi, të cilëve u propozoi jetën e krishterë, si rrugë që të shëron shpirtin, të sjell paqen e të pajis me dashurinë, e cila bëhet shenjë pozitive edhe për të tjerët, sepse kush i ka provuar vetë vështirësitë, i kupton më mirë edhe vështirësitë e të tjerëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.