2008-07-20 15:43:30

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Françesk de Laval dhe Kisha në Kebek".


(20.07.2008 RV)RealAudioMP3 Françesku de Laval nuk mund të mos rrënqethet. Madhështia e misionit që e pret, e tmerron. Ka arritur pak kohë më parë në Francën e Re, emër me të cilin thirren tokat e pushtuara nga Franca në Kanada.
Zona ku vendoset ka një klimë të ashpër: dimrat janë tepër të ftohtë, verat, të lagështa e mbytëse. Veç kësaj, francezët sulmohen shpesh nga fiset e egra të irokezëve. Qyteti i Kebekut, në këtë kohë, është një vend i varfër, me dymijë frymë. E sa për Kishën, nuk mund të themi gjë prej gjëje, sepse nuk ekziston fare. Pikërisht kjo e shtyn ipeshkvin e ri Laval drejt këtyre tokave të largëta: dëshira për ta themeluar Kishën edhe këtu.
Kështu Françesku duhet të shpërvjelë mëngët e t’i vihet punës. E sa për punë, s’ia ha qeni shkopin…
Sapo shkel në trojet kanadeze, ndërton menjëherë një qelë pranë Katedrales së Shën Marisë. Pesë vjet më pas, më 26 mars 1663, vë gurin e parë në seminarin e Kebekut për të organizuar klerin e për ta përhapur fenë në të gjithë koloninë. Një pas një lindin famullitë e kështu në Kebek nisë të lulëzojë Kisha.
Më pas Françesku themelon edhe një seminar të vogël, për edukimin e krishterë të fëmijëve. Ipeshkvi është pedagog i madh e dëshiron t’u japë të rinjve arsim të krishterë e human të shëndoshë e serioz. Seminari i vogël organizon edhe pushime të këndshme, gjatë të cilave fëmijët peshkojnë, shkojnë për gjah, luajnë e zbulojnë natyrën. Natyrisht jo të gjithë këta fëmijë do të bëhen meshtarë, por edukata që marrin, do të japë fryte shpirtërore e njerëzore për të ardhmen e tyre.
Kolonia vijoin të zmadhohet e, bashkë me të, edhe Kisha. Shumë shpejt Kebeku bëhet me 20 famulli, me tetëmijë frymë. Françesku nis të ungjillëzojë edhe indianët mikmak, të njohur për butësi e mikpritje.
Duke parë veprimtaritë e jashtëzakonshme të ipeshkvit, të lind vetvetiu pyetja: ‘A pushon ndonjë herë ky njeri?’. Në vitin 1684, pasi i kaloi tridhjetë vjet në Kebek, Françesk Lavali ndjen se po i shterrojnë fuqitë. Puna, pendesa, sëmundjet e dëmtojë seriozisht shëndetin e ipeshkvit të moshuar e ai detyrohet të tërhiqet në seminar. Po vepra e tij nuk ka përfunduar akoma. Në vitin 1700 thirret rishtas, sepse vendi i tij ka mbetur bosh. Kështu Françesku vijon, derisa vdes, më 1708, t’i kushtohet veprës së madhe të jetës: ndërtimit të një Kishe plot gjallëri e dinamizëm në Kebek.  







All the contents on this site are copyrighted ©.