2008-07-19 16:47:55

Papa dënon shpërdorimet seksuale të disa priftërinjve dhe i fton seminaristët ta luftojnë indiferencën fetare me shenjtërinë e jetës së tyre.


(19.07.2008 RV)RealAudioMP3 Pas Udhës së Kryqit, kremtuar dje, një nga çastet kulmore të DBR-së, sot Papa kryesoi Meshën Shenjte në katedralen e Shën Marisë së Sidneit, në bashkëkremtim me 65 ipeshkvij australianë, seminaristë, novicë e novice. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë dënoi përsëri episodet e pedofilisë, me të cilën janë njollosur disa priftërinj. Papa theksoi se Kisha është gjithnjë pranë atyre që i pësuan këto shpërdorime. Por për hollësitë, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radios sonë në Sidnei, Roberto Piermarini:
 
"Dita e Papës nisi sot paradite me Meshën në katedralen e Shën Marisë, të cilën katolikët e konsiderojnë si Kishë-nënë të gjithë Australisë. Të pranishëm, 65 ipeshkvijtë e vendit, seminaristë, novicë e novice. Në katedralen e mrekullueshe të stilit gotik, Papa shuguroi elterin e ri. E ky kremtim liturgjik i dha rastin të pohonte se ashtu si elteri, i shuguruari ‘lihet mënjanë’, për t’i shërbyer Hyjit, në një botë e cila – theksoi - do të dëshironte ta ‘linte mënjanë’ vetë Zotin, duke e kufizuar kështu fenë në devocion personal, që nuk ndërhyn fare në jetën publike. Tundim ky në të cilin mund të bien edhe barinjtë. E kur njeriu harron se është krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit, zvogëlohet, humbet kuptimin e jetës, hyn në rrugën e kulturës së vdekjes! Benedikti XVI e ftoi Kishën australiane t’i mbajë sytë ngulur tek Kryqi, ku mund të gjejmë vetveten e, duke dhuruar jetën për të tjerët, t’u prijmë drejt shëlbimit. Seminaristët e rregulltarët i ftoi të mos e humbasin guximin në një botë, që duket se e bën veshin të shurdhër, kur duhet të dëgjojë Fjalën e Hyjit, të vijojnë formimin, të thellohen në lutje, në meditimin e Fjalës së Zotit e të kremtojnë Eukaristinë. Nuk mungoi edhe porosia për ta ndjekur Krishtin në pastërti, varfëri e bindje, duke iu kushtuar plotësisht dashurisë së Tij e shërbimit ndaj vëllezërve, posaçërisht atyre që kanë më shumë nevojë.
Gjatë homelisë, Benedikti XVI kujtoi se të gjithë besimtarëve u vjen turp për shkak të shpërdorimeve seksuale mbi të miturit nga ana e disa priftërinjve e rregulltarëve të këtij kombi. - Ndjej një keqardhje të thellë – nënvizoi me forcë Papa – për dhimbjen e vuajtjen që pësuan viktimat e, si Bari, i siguroj se vuaj bashkë me ta. Këto krime të shëmtuara – vijoi Papa – që s’janë tjetër, veçse tradhti e besimit që u është dhënë meshtarëve, duhet të dënohen në mënyrë të prerë. Ata i shkaktuan një dhimbje të madhe Kishës dhe dëmtuan rëndë dëshminë e saj. Ju kërkoj të gjithëve t’i mbështesni e t’i ndihmoni ipeshkvijtë tuaj e të bashkëpunoni me ta për ta luftuar këtë shëmtim. Viktimat duhet të trajtohen me dhembshuri e kujdes, ndërsa ata që e bënë këtë të keqe, të çohen para drejtësisë. Është detyrë urgjente të krijohet një mjedis më i sigurtë e më i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë - theksoi me forcë Papa".







All the contents on this site are copyrighted ©.