2008-07-19 18:42:57

Kardinali Toran në Madrid: “Hebrenjtë, të krishterët e myslimanët janë forcë e jashtëzakoshme, për t’i dhënë shoqërisë fytyrë njerëzore”.


(19.07.2008 RV)“Të vlerësohen themelet e përbashkëta të feve të mëdha monoteiste, për të ndërtuar ardhmërinë paqësore ndërmjet popujve”. Këtë theksoi dje kardinali Zhan Lyi-Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar nga tribuna e Konferencës ndërfetare të Madridit, me pjesëmarrjen e autoriteteve të islamit, kristianizmit e të hebraizmit, organizuar nga mbreti saudit, Abdallah.
Me takimin e Madridit, hebrenjtë, të krishterët e myslimanët dëshmuan se ‘fetë nuk janë burim tensioni”, por përkundrazi, forcë pozitive e jashtëzakonshme për t’i dhënë shoqërisë një fytyrë vërtetë njerëzore - vijoikardinali Toran, i cili e falënderoi mbretin saudit për nismën e Konferencës ndërfetare. Hirësia e Tij, që e quajti ‘historik’ takimin, u përcolli pjesëmarrësve përshëndetjen e dhe inkurajimin e Papës, i cili – vijoi kardinali – shpreh bindjen se dialogu i bazuar mbi dashurinë e të vërtetën, është rruga më e mirë për t’u siguruar mbarë popujve të tokës, harmoninë, lumturinë e paqen. Në Madrid - pohoi kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar – u hap një rrugë e re për dialogun, lindën miqësi të reja, frymëzim i ri.
Kardinali Toran vuri theksin sidomos mbi bindjet e thella, që i bashkojnë besimtarët e tri feve monoteiste: besimi në një Zot të vetëm, përgjegjësisa për të mbrojtur Krijimin, shenjtëria e njeriut, interesi i përbashkët për t’u ofruar të rinjve parime morale e, akoma, forca e dashurisë dhe qendërsia e ligjit natyror.
Më pas kardinali Toran u ndalua tek liria fetare, një imperativ që nuk mund të kufizohet thjeshtë në nevojën për të pasur vende të kultit. Liria fetare – reflektoi Hirësia e Tij – duhet të përfshijë edhe mundësitë që besimtarët të luajnë një rol aktiv në sferën publike, përmes përgjegjësive kulturore, politike e shoqërore. Në këtë kontekst, kreu i Vatikanit vuri theksin mbi tri objektiva: thellimi i njohjes reciproke, zhvillimi i studimeve fetare e formimi i njerëzve për dialogun ndërfetar, pa harruar se fetë nuk janë pak a shumë e njëjta gjë, ndërsa është e vërtetë se të gjithë njerëzit që kërkojnë Zotin kanë të njëjtin dinjitet. Dialogu ndërfetar – vijoi kardinali - nuk mund të ndërtohet mbi dyshime. Duke u larguar nga Madridi – përfundoi Hirësia e Tij – kemi më shumë besim, të bindur se me ndihmën e Zotit, do ta bëjmë njerëzimin një familje të vetme.







All the contents on this site are copyrighted ©.