2008-07-19 13:13:33

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Abati Ransè: nga oborri mbretëror, në kuvend".


(19.07.2008 RV)Abatin dë Ransé e lëshon fare zemra. Shikon si largohet murgu i fundit, që ndërroi zhgunin me një palë pantallona e një këmishë. Pastaj sodit përsëri ndërtesën… ose më mirë të themi, atë që ka mbetur prej saj, sepse abacia e Trapës është në rrënim e sipër. I qan zemra që nuk mundi të bëjë asgjë për ta shmangur këtë rrënim. Në të vërtetë, dy vjet më parë, kur nuk e kishte bërë ende kthesën e madhe, Rancé ishte një prift shumë i lidhur me botën e nuk kishte kurrfarë dëshire të kujdesej për abacinë e largët, nga e cila merrte dy kacille, si abat i saj.
Po dalë-nga-dalë prifti lodhet nga kotësia e botës në të cilën jeton dhe kërkon kuptimin e vërtetë të jetës. Më në fund e gjen përgjigjen e shumpritur: do t’ia kushtojë gjithë jetën kësaj abacie, për ta shndërruar në një vend heshtjeje, lutjeje e vetmie. Tridhjetë e tre vjeç, gjen rrugën e tij të vërtertë. Por tani për tani meshtari nuk dëshiron të bëhet murg, kështu mbetet prift, ndonëse vijon të punojë për të rindërtuar abacinë. I dashuruar me vetminë e thjeshtësinë, dëshiron që murgjërit të jetojnë në këtë kuvend, duke ndjekur pikë për pikë rregullën e Sitosë, e cila bazohet mbi parimet fillestare të Shën Benediktit: lutje, varfëri, vetmi e punë.
Tri javë pas arritjes së tij në rrënojat e shkretuara të abacisë, në portën e Trapës trokasin gjashtë murgjër, që i ndjekin këto parime. Janë trapistët e parë. Rindërtojnë kishën dhe ndërtesat e tjera e më 20 gusht, në mesnatë, të prirë nga abati i tyre, hyjnë në kor për të kënduar uratët e mëngjesit. Pas dy shekujsh, këto mure dëgjojnë rishtas këngën e falënderimit, që lartohet në agim drejt Hyjit.
Në sa abacia rigjente vetveten, Rancé vijonte rrëmimin e shpirtit, deri në fund. E më në fund vendosi të vishte zhgunin e bardhë të Sitosë. Në vitin 1664 bëhet abat rregulltar i Trapës, për gëzimin e madh të vëllezërve murgjër.Pas vdekjes së tij, më 1670, nëntëdhjetë murgjër jetojnë në Trapë të lum, në paqe e në harmoni. Rreth abacisë nuk sillen më endacakët, por murgjërit, që kthehen nga arat duke kënduar. Nuk organizohen më gosti të bujshme, por dreka e darka të thjeshta. Jetohet duke punuar e duke u lutur. Rancé dëshironte të kthehej tek pastërtia e rregullës së Shën Benediktit, e ia doli mbanesh. Nga Zoja e Trapës – që u bë Trapa e madhe – lindën Trapa të reja. Me jetën e tyre, që kalon me lutje, pendesë e vetmi, trapistët, të cilët njihen edhe si çisterçensë oservantë, kërkojnë takimin me dashurinë absolute të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.