2008-07-18 16:27:53

Papa në DBR-së në Sidnei:duke kërkuar të vërtetën, fetë mbështesin paqen. Benedikti XVI fton të çohet përpara impenjimi ekumenik e ndërfetar.


(18.07.2008 RV)RealAudioMP3 Ditë e ngarkuar me takime, e sotmja, për Papën, që vijon shtegtimin e tij apostolik në Sidnei për Ditën e 23-të Botëroe të Rinisë. Sot paradite – pasdite në Australi – u kremtua Udha e Kryqit, kremtim që tashmë është bërë traditë në të gjitha DBR-së. Për këtë kremtim, Sidnei u shndërrua në një katedrale vigane nën qiellin blu të një dite të butë dimërore. Por, për t’u njohur nga afër me veprimtaritë e sotme të Benediktit XVI, të ndjekim të dërguarin e Radio Vatikanit, Roberto Piermarini – nga Sidnei:

“Sidnei në variantin ‘Jeruzalemi i Mijëvjeçarit të Tretë’ po shikon nëpër rrugët e veta Udhën e Kryqit të DBR-së: 14 stacione nga katedralja e Shën Marisë deri në Barangaru, përballë gjirit të detit. Shtatë skenat e luajtura nga të rinjtë, që të kujtojnë ngjarjet e fundit të jetës tokësore të Krishtit, u intepretuan nga një i ri italo-australian 26 vjeç në rolin e Krishtit, një Zojë me fytyrën e Virgjërës së Zefirelit e njëqind aktorë, veshur me kostumet e epokës, me tekste të përgatitura nga ati jezuit Peter Stelle, shoqëruar me muzikë, nga gospel, tek roku e tek muzika gregoriane, e me valle e lojëra drite, nën drejtimin e regjisorit Franko Karavana, meshtar me origjinë italiane. Ish-regjisor lirik, para se t’ia kushtonte jetën Krishtit, meshtari e kreu me sukses detyrën e vështirë të shpalosjes së Udhës së Kryqit nga rrokaqiejtë e qytetit, tek brigjet e gjirit, nëpër një rrugë, në dyja anët e së cilës mijëra të rinj gjunjëzoheshin në lutje. Udha e Kryqit arriti kulmin me skenën e kryqëzimit, ndërsa Sidnei, i kredhur në errësirën e natës, ndriçohej vetëm nga drita e Kryqit.
Benedikti XVI, i cili në katedralen e Shën Marisë lexoi një lutje e pastaj edhe tekstin e Stacionit të parë, vijoi ta ndiqte Udhën e Kryqit nga një ekran i vendosur në kriptën e Katedrales.
Paraditja e sotme e Papës qe shumë e ngjeshur me veprimtari. Filloi me vizitat e governatorit, kryeministrit të Uellsit të Ri të Jugut dhe kryetarit të bashkisë së Sidneit. Në përfundim të këtyre vizitave, Papa shkoi në kriptën e Katedrales, ku e prisnin përfaqësuesit e Kishave të krishtera, të pranishme në Australi. Benedikti XVI, që kujtoi Marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2004 nga Këshilli Kombëtar i Kishave, përmes së cilës u përcaktuan pikat e afrimit, duke respektuar larmitë, theksoi se rruga e ekumenizmit nis nga Pagëzimi, por synon kremtimin e përbashkët të Eukaristisë, sakrament i mirëfilltë i unitetit në Kishë.
For this reason, a candid…
Për këtë arsye, një dialog i sinqertë, që lidhet ngushtë me Eukaristinë, do të ndihmojë për ecjen para të lëvizjes ekumenike e të dëshmisë sonë të përbashkët para botës - shpjegoi Papa - i cili nuk e fshehu se ekumenizmi ka arritur në një pikë kritike. Vetëm veprimtaria praktike nuk mjafton për bashkimin e të krishterëve, vijoi Benedikti XVI, dhe më pas vërejti: - Duhet të jemi të gatshëm t’i kundërvihemi çdo tundimi që mund të na nxisë ta shikojmë doktrinën si burim përçarjesh dhe të kemi guximin ta kapërcejmë çdo gjë që na ndan.
Më pas, në një sallë të katedrales, u mbajt takimi me përfaqësusit e të gjitha feve të pranishme në vend. Në përshëndetjen drejtuar Atit të Shenjtë, rabini Lorenc kujtoi hapat para që janë bërë gjatë këtyre viteve në dialogun kristiano-hebraik, ndërsa shehu Saleem pohoi se i vetmi fanatizëm i pranueshëm, është ai i dashurisë. Papa e shfrytëzoi këtë rast të përshtatshëm, për të ripohuar se në kohën tonë, që e shikon fenë më shumë si shkaktare përçarjesh, sesa si forcë bashkimi, ka një rëndësi të veçantë lidhja ndërmjet fesë e jetës publike. Feja – vijoi Benedikti XVI – vihet në shërbim të njerëzimit, vetëm në se u dëshmon të gjithëve se dëshiron të jetojë në bashkim e harmoni me të tjerët. Në se kultivon vetmohimin, vetpërmbajtjen dhe përdorimin e arsyeshëm të pasurive materiale, mund të edukojë të rinj të cilët, kur shikojnë se u propozohen ideale të larta, tërhiqen nga asketizmi dhe nga praktikimi i virtyteve morale, përmes respektit për vetveten e vëmendjes për të tjerët.
I have come to Australia as an ambassador…
Erdha në Australi si ambasador i paqes, për të ndarë së bashku me ju këtë dëshirë e për të ndihmuar botën të gëzojë paqen. Feja jep paqe – tha në përfundim Ati i Shenjtë – ngjall në shpirtin njerëzor etjen për të vërtetën, urinë për virtytin.







All the contents on this site are copyrighted ©.