2008-07-18 16:29:36

Në takimin e Madridit, frymë e re dialogu


(18.07.2008 RV)Përfundoi sot Konferenca ndërfetare, organizuar në Madrid nga Mbreti i Arabisë Saudite, Abdallah. Përveç përfaqësuesve të tri feve monoteiste: asaj të krishterë, myslimane e hebraike, në tribunën e takimit ngritën probleme të mprehta të kohës edhe përfaqësues të budizmit, të shintoizmit e të besimit sikh.
Domethënës, për teologun mysliman Adnan Mokrani, pedagog i Universitetit Gregorian të Romës, fakti se shumë rabinë me kippah u ulën pranë e pranë shehave me kefiah, apo me çallma. Nuk pati e as nuk priteshin diskutime konkrete, por ajo që ka rëndësi, është impenjimi të Arabisë Saudite e i mbretit të saj. Duket se po bëhet kthesë në rrugën e dialogut, gjë që mund të konsiderohet një hap para për krijimin e marrëdhënive të reja ndërmjet feve.
Nuk dëgjuam gjëra të reja – nënvizon jezuiti Den Madigan – specialist për marrëdhëniet me Islamin - por të gjithë kanë përshtypjen se në Madrid u krijua një atmosferë shumë pozitive. Në raste të tilla – shton rregulltari – ka më shumë vlerë takimi i njerëzve, sepse është ky që i paraprin takimit të ideve.
Shkëmbimet e mendimeve që mund të bëhen në tryezë, ose gjatë pushimeve, kanë rëndësi më të madhe se ato që bëhen nga tribunat – shton Mokrani - i cili pasi vlerëson diskutimet që dënuan ndeshjen ndërmjet qytetërimeve, ushtrimin e dhunës dhe të skllavërisë, vëren edhe se u krijua një atmosferë, në të cilën pjesëmarrësit debatuan lirisht, duke ballafaquar mendime e rrugë të reja për marrëveshje ndërmjet feve, në shërbim të ardhmërisë paqësore të njerëzimit.
Këtë theksoi edhe kardinali Zha-Lyi Toran, i cili krijoi bindjen se Islami dëshiron t’i paraqitet botës me një fytyrë që ndryshon nga ajo e terrorizmit fanatik.
Polemikë pati vetëm për një mungesë që ra vërtetë në sy: nuk u dëgjua fare zëri i grave, në mes të relatorëve që u ngjitën njëri pas tjetrit në tribunën e Konferencës. Problem për t’u zgjidhur në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.