2008-07-17 17:48:33

Çështja e autoritetit drejtues, ndërmjet temave në qendër të Konferencës anglikane të Lambet


(U hap dje në Kanterbëri të Anglisë, Konferenca e Lambet, takim dhjetvjeçar i ipeshkvijve anglikanë të botës. Ndërmjet temave në qendër të takimit të rëndësishëm, është edhe çështja e autoritetit drejtues, lidhur ngushtë me forcimin e marrëdhënieve me kishat e tjera të Bashkimit anglikan.
Çështja e një autoriteti po ndjehet gjithnjë më fort ndërmjet anglikanëve, për shkak të thellimit të debatit mbi probleme të vështira, siç ishte votimi në Sinodin e përgjithshëm të Kishës së Anglisë, që i hapi rrugën shugurimit ipeshkvnor të grave. Vendimi në fjalë, shkaktoi shqetësimin e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe shumë polemika brenda vetë botës anglikane. E kjo, sepse, siç na shpjegon kryeipeshkvi i Kantërbërit, Rovan Uiljams, Bashkimi anglikan ka një organizim të veçantë:

Përgjigje: - At the heart of the whole…
Në zemër të Bashkimit anglikan është marrëdhënia ndërmjet nesh. Ne nuk kemi qenë kurrë një trup i lidhur së bashku përmes rregullave të sakta, gjë që shpesh, si në këtë çast, bëhet shkak shqetësimi e pështjellimi në jetën e bashkimit tonë. Nuk e kemi ndër mend të krijojmë, në Konferencën e Lambet, shumë rregulla të reja, por natyrisht, kemi nevojë t’i forcojmë lidhjet tona. E në këtë perspektivë, po diskutojmë së bashku propozimin mbi atë që e quajtëm aleancë ndërmjet kishave anglikane të botës, në mënyrë që, kur ka probleme, t’i zgjidhim së bashku, të vendosim e të gjykojmë së bashku”.

 
Nga 28 korriku, deri më 3 gusht, do t’i ndjekë punimet e Konferencës edhe kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, që i uroi anglikanët për këtë takim kaq të rëndësishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.