2008-07-17 17:47:45

Në Sidnei Papa takohet me 500 mijë të rinj të DBR-së, të cilët i fton të mos e përjashtojnë Zotin, të mbrojnë jetën e gjithësinë.


(17.07.2008 RV)RealAudioMP3 Në Sidnei, takimi i parë entuziast i Papës me të rinjtë, që marrin pjesë në Ditën e 23-të Botërore të Rinisë. Edhe një herë skela e Barangarusë, ku pardje u hapën kremtimet e DBR-së me Meshën Shenjte, kryesuar nga kardinali Gjorgj Pel, kryeipeshkëv i qytetit, qe korniza e festës së mikpritjes, në të cilën ishin të pranishëm përfaqësues të rinisë nga mbarë bota. Por, për të jetuar emocionet e kësaj feste mbarërinore, të ndjekim, drejtpëdrejtë nga Barangaru, të dërguarin e Radio Vatikanit në DBR-së, Roberto Piermarini:

“Një shpërthim duartrokitjesh e këngësh të hareshme: 500 mijë vetë e pritën Papën, që arriti në molon e Barangarusë mbi një anije të bardhë, pas lundrimit gjatë brigjeve të gjirit të Sidneit, i rrethuar me një kurorë prej 12 varkash, plot me të rinj. Duke kaluar para velave të bardha të Shtëpisë së Operas, ndërtesë-simbol i Australisë, ngërthyer si margaritar në zemër të gjirit të Sidneit, Papa u rrethua nga 16 të rinj, 12 përfaqësues të katër kontinenteve, 4 të kontinentit australian.
Në Barangaru Benedikti XVI u prit me një valle aborigjene e me një këngë tipike në gjuhën galidal. Mirëseardhjen ia uroi kryeipeshkvi i Sidneit, kardinali Pel, i cili e priti Benediktin XVI si pasardhës të Pjetrit dhe i kujtoi ‘Të madhin, Gjon Pali II’, autorin e këtyre ditëve botërore rinore, dy herë radhas, shtegtar në Australi. Prekës procesioni i Librit liturgjik, që përmbledh fragmentet e Ungjillit, të cilat lexohen në Meshët solemne gjatë vitit, vendosur mbi një kanoa, vepër simbolike arti, sepse popujt e Oqeanisë e konsiderojnë Zotin si ‘peshkatar i madh’.
Në fjalimin drejtuar të rinjve, Papa preku temat që përshkojnë gjithë vizitën e tij. Kujtoi vuajtjet dhe padrejtësitë e pësuara nga aborigjenët dhe mbrojtjen e ambientit. E këtë e bëri duke treguar se u shqetësua për fluturimin e gjatë nga Roma, por pastaj, gjatë këtij fluturimi, mundi të admirojë mrekullitë e gjithësisë. Gjithsesi - vijoi Benedikti XVI – duhet të pranojmë se tepër plagë i hapen tokës: erozioni, shpyllëzimi, shpërdorimi i pasurive minerale e detare, për të ushqyer konsumizmin e pangopur, ndërsa shumë vende kërcënohen nga rritja e nivelit të ujit ose nga thatësira. Por Papa nuk preku vetëm plagët ambientale: vuri gishtin edhe mbi plagët shoqërore, siç janë shpërdorimi i alkoolit e i drogës, ushtrimi i dhunës dhe zvetënimi seksual, të cilat mund ta shpërfytyrojnë qëllimin, për të cilin jemi krijuar. E kjo - nënvizoi Ati i Shenjtë – ndodh sepse shpesh herë liria e toleranca kuptohen shtrembër, veçohen nga e vërteta. Për botën, nuk ekziston një e vërtetë, që mund t’i prijë në rrugën e saj. Relativizmi vlerëson mbi të gjitha ‘përvojën’, e cila në këtë mënyrë shkëputet nga e mira dhe e çon njeriun drejt një një lirie të rreme, drejt pështjellimit moral ose intelektual, drejt humbjes së nderimit për vetveten e madje, edhe drejt dëshpërimit.
“Christ offers more! Indeed he offers everything!...”
Krishti na jep shumë më tepër, na jep gjithçka! Vetëm Ai, që është e Vërteta, mund të jetë Rruga e, edhe Jeta, që na dhurohet përmes pagëzimit. Pikërisht me pagëzimin, Zoti na prin drejt shenjtërisë, na bën bij në shpirt e na krijon mundësinë për t’u shndërruar në krijesa të reja. Zoti nuk mund të lihet mënjanë, feja nuk mund të kufizohet në sferën individuale, besimi e feja nuk mund të përjashtohen nga jeta publike. Është një vizion i shekullarizuar – vërejti Benedikti XVI – që dëshiron ta formojë shoqërinë pa Zot, por kjo shkapje (shkëputje) nga Plani i Tij, shkakton një çrregullim, që ka pasoja të pashmangshme mbi gjithësinë. Kështu u shpreh Benedikti XVI e më pas bëri pyetjen: “Ç’vend kanë, në nivel shoqëror, të moshuarit, të varfërit, emigrantët, njerëzit pa zë? Si mund të frenohet dhuna brenda mureve të shtëpisë, që trondit nëna e fëmijë? Si të mbrohet prehëri amtar? Si mund të respektohen mospranimi i dhunës, zhvillimi i qëndrueshëm, drejtësia, paqja, kujdesi për mjedisin, në se dhunohet dinjiteti i jetës njerëzore nga zënia, deri në perëndimin e natyrshëm, dhuratë e vetë Zotit, e prandaj, i paprekshëm?
“World Youth Day fills me with confidence for the future…”
Dita Botërore e Rinisë më mbush me besim për ardhmërinë e Kishës e të Botës sonë – pohoi me entuziazëm Papa - sepse të rinjtë, që kanë marrë këtë rrugë të gjatë e të lodhshme, duan të rrinë së bashku, që të thellojnë fenë e tyre e të ndajnë bashkërisht përvojën gazmore të bashkimit në Kishën e Krishtit.Së fundi, thirrja drejtuar gjithë të rinjve të mbledhur në Sidnei, të kenë guximin për të ecur në rrugën e shenjtërisë, sepse pikërisht për këtë rrugë ka nevojë më shumë se kurrë bota e sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.