(16.07.2008 RV) Filluan tri ditët parapregatitore për takimn e madhe me Papën:
të rinjtë e DBR-së po ndjekin katekizmin ose mësimi i besimit. Katekizmin e mbajnë
ipeshkvij nga mbarë bota, në 300 kishat dhe selitë e tjera katolike të Sidneit, duke
filluar nga 16 deri më 18 korrik. Tema kryesore e këtij katekizmi triditor, “Shpirti
Shenjt e Misioni”, po zhvillohet në disa faza: Sot, 16 korrik, u mbajt
katekizmi me temë “Të thirrur për të jetuar në Shpirtin Shenjt”. Fragmentet
e Shkrimit Shenjt ishin: “Në se jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi
edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt” - nga letra e Shën Palit drejtuar Galatasve
(Gal 5. 25) Leximet për Meshën: nga Veprat e Apostujve (Vap.1,
6-14) e nga Ungjilli sipas Lukës (Lk.24, 44-49). Nesër, 17
korrik: tema e katekizmit do të jetë: “Shpirti Shenjt, shpirt i Kishës”. Fragmentet
e Shkrimit Shenjt: “Në të vërtetë, të gjithë jemi pagëzuar në një Shpirt të vetëm,
për të formuar një trup të vetëm, e të gjithë kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt
Shenjt”(1 Kor 12,13). Leximet për Meshën: nga Letra e parë e Shën
Palit Apostull drejtuar Korintianëve (1 Kor 12, 4- 13) e nga Ungjilli sipas
Mateut (Mt. 16, 13-19). Të premten, 18 korrik: tema e katekizmit:
“Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju
do të bëheni dëshmitarët e mi”- (Vap. 1,8) Leximet për Meshën: nga Letra
e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve (1 Kor 9,16-19) e nga Ungjilli
sipas Mateut (Mt. 28, 16-20). Fragmenti i Shkrimit Shenjt i së premtes,
është edhe tema e DBR-së 2008. Katekizmi është zemra e DBR-së. Përmes tij të rinjtë
me histori e përvoja të ndryshme, mblidhen për të dëgjuar, për të reflektuar, për
të diskutuar e për t’u lutur në harmoni. Të gjithë shtegtarët, që marrin pjesë në
DBR-së 2008, e nisën prej kohe reflektimin mbi temat e katekizmit. Erdhën kështu në
Sidnei, të përgatitur për të qenë dëshmitarë të Shpirt Shenjt e për të përfituar sa
më shumë nga përvoja e DBR-së. Temat e katekizmit dhe leximet për çdo Meshë u caktuan
nga Këshilli Papnor për Laikët, organ i Vatikanit, që mbikqyr përgatitjen e Ditëve
Botërore të Rinisë.E organizuar nga Kisha katolike, Dita Botërore e Rinisë, i fton
të gjithë të rinjtë e botës të marrin pjesë në këtë javë të jashtëzakonshme rinore,
që po kremtohet në Sidnei të Australisë.