2008-07-17 17:49:31

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Pjetër Klaver: prania e Zotit pranë skllevërve".


(17.07.2008 RV)RealAudioMP3 Mbi skelën e portit të Kartagjenës, qytet i Kolumbisë së sotme, një meshtar pret anijen që duhet të vijë nga Afrika e largët, nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik.
Atë Pjetër Klaveri e shkëput për një çast vështrimin nga horizonti, për të soditur portin, ku një mori anijesh ngarkojnë e shkarkojnë pasuri të mëdha: pëlhura të kushtueshme, ar, erëza e kakao: të gjitha këto ngarkesa janë burim i pashterrshëm parash.
Pjetri psherëtin e i dridhet zemra, në sa vijon të presë me padurim anijen. Edhe ajo mbart një mall që kushton shumë, për fat të keq… Hambari i anijes është përplot me burra, gra e fëmijë, të flakur aty si kafshët. Mbarten nga Afrika, për t’u shitur në Amerikë. Pjetri rri aty e pret, sa herë merr vesh se do të vijë një anije me mall të tillë. Kur hyri ndër Jezuitë, e dinte tashmë se ç’do të bënte me jetën e vet: i kishte premtuar Zotit të bëhej skllav i skllevërve. Jemi në fillimet e shekullit XVII e as të krishterët më vullnetmirë nuk ia dalin dot t’i japin fund skllavërisë. Mbretëresha e Spanjës dhe Papa e ndaluan kthimin e indianëve të Amerikës në skllevër… por si rezultat, tregtarët e skllevërve ndërruan vend. U nisën për t’i kërkuar skëllevërit në Afrikë.
E vetmja gjë që mund të bëhet tani për tani, është të ndihmohen këta njerëz kaq të pafat. Pas pak, kur anija e ngarkuar me zezakë ankorohet, Pjetër Klaveri ngjitet në bord. Zbret në hambar, ku takon njerëz të tmerruar, me sëmundje ngjitëse, e nuhat një erë të tmerrshme kufome: gjysma e skllevërve kanë vdekur gjatë shtegtimit. Pjetri shkon t’u çojë të gjallëve një fjalë ngushëllimi. Për ta është hera e parë që një i bardhë i trajton si njerëz. Pastaj i mjekon, para se të shiten... Me ndihmën e disa zezakëve, që flasin gjuhët e ndryshme të Afrikës (ai di vetëm frëgjishten) i ushqen e i shëron. U flet për Krishtin, që erdhi të shpëtojë botën. U tregon se para syve të Zotit nuk as skllav, as zotëri, por të gjithë njerëzit janë njëlloj bij të Hyjit. Shumë nga skllevërit bëhen të krishterë, kur mësojnë se Zoti e respekton dinjitetin e tyre si njerëz. Për ndihmën që u dha qindra mijëra skellevërve, në shekullin XIX Kisha e shpalli Pjetër Klaverin Shenjt dhe Pajtor të të gjithë njerëzve, që ua predikojnë Ungjillin afrikanëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.