Mbreti i Spanjës dhe i Arabisë Saudite hapin Konferencën ndërfetare të Madridit.
(16.07.2008 RV)Mbreti i Spanjës, Huan Karlos dhe ai i Arabisë Saudite, Abdallah
bin Abdyl Aziz Al Saud, hapën sot në Madrid Konferencën ndërfetare, që do të vijojë
deri më 18 korrik. Në fjalimin e tij, Huan Karlos uroi të ndërtohet ‘një botë, që
i jep fund mizorive të papranueshme terroriste e që lufton kundër urisë, varfërisë,
e sëmundjeve”. Ndërsa monarku saudit, mbrojtës i viseve të shenjta myslimane të
Mekës e të Medinës, me nxitjen e të cilit u mblodh ky takim i rëndësishëm, që pason
takimin e mbajtur qershorin e kaluar, në Mekë, nga Lidhja Islamike Botërore, pohoi
se “profetët janë si vëllezër, bij të nënave të ndryshme, por të një Zoti të vetëm.
Madridi - vijoi monarku saudit – ka qenë gjithnjë pikë takimi ndërmjet qytetërimit
islamik e botës evropiane, prandaj mund të shpresojmë se do të bëhet edhe djep i dialogut
e i tolerancës së re”.Në takim merr pjesë edhe kardinali Zha Lyi Toran, kryetar i
Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar; sekretari i përgjithshëm i Kongresit Judaik
botëror, Mikael Shnaider; kryetari i komitetit ndërfetar të Këshillit islamik të al
Azharit në Egjipt, Ali Samman dhe 200 përfaqësues të fesë, intelektualë e organizatorë
të dialogut ndërkulturor. Pjesëmarrësit nuk përfaqësojnë ideologi e as parti politike
– saktësoi sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Islamike Botërore, Abdullah al Turki
– janë këtu për të mbrojtur dialogun, si mjet për përmirësimin e ardhmërisë së njerëzimit.