2008-07-16 16:48:44

Gjykata e lartë e Strasburgut i njeh statusin juridik Patriakanës së Kostandinopojës.


(16.07.2008 RV)Vendim historik: Gjykata e Lartë e Strasburgut për të drejtat e njeriut, i njohu Patriarkanës së Kostandinopojës statusin juridik, të mohuar gjithnjë nga qeveria turke. Konsiderohet vendim historik, sepse për herë të parë shteti turk dënohet për përvetësimin e padrejtë të jetimores së Buiukadës. E jo vetëm, por edhe për hedhjen poshtë nga organet turke të drejtësisë të të gjitha kërkesave të Patriarkanës për t’ia kthyer objektin.
Në radhë të parë, me këtë vendim Patriarkanës së Kostandinopojës i rikthehet pronësia mbi jetimoren, por ajo që ka më shumë rëndësi, i njihet ndërkombëtarisht statusi juridik. Kujtojmë se pakicat fetare në Turqi nuk njihen si persona juridike e, prej këndej, nuk mund të kenë prona.
Me këtë vendim, Patriarkana jo vetëm që mund të ketë prona në Turqi, por tani e tutje të drejtat e saj mbrohen drejtpëdrejtë nga Gjykata e Strasburgut, në të cilën bën pjesë edhe vetë Turqia.
Sipas njoftimit të AziaNjuz, në mjediset evropiane nënvizohet se zbatimi i këtij vendimi nga ana e shtetit turk, është një provë tjetër e dëshirës për të ecur në rrugën e demokracisë.
Në atmosferën e përpjekjeve për të hyrë në Evropë, Turqia kalon një periudhë të trazuar, kërkon të paraqitet si shtet evropian, por ngurron ta organizojë jetën e vet të brendshme sipas këtij modeli.
Në kontekstin e këtij vendimi Gjykata e Strasburgut dënoi ligjin e vitit 1934 mbi fondacionet fetare, që i lejonte autoritetet turke të shtetëzonin pronat e pakicave fetare, të persekutuara prej kohe e të detyruara të largohen nga vendi. Është domethënës edhe fakti se ankesa e Patriarkanës ekumenike drejtuar Strasbubugut u mbrojt nga një grup juristësh grekë e turq, gjë që vërteton se bashkëpunimi i shtetasve aktivë pa kufij, siguron të drejtat e njeriut e të pakicave.
Kujtojmë se vendimi i marrë nga Strasburgu do të ketë pasoja pozitive për të gjitha pakicat fetare të pranishme në Turqi.







All the contents on this site are copyrighted ©.