2008-07-16 17:20:31

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Maria Gijard përpilon një katekizëm në indishten algonkine".


(16.07.2008 RV)Nuk është natë e këndshme për miqtë e vegjël të motrave orsoline të qytetit të Kebekut. Në kuvend shpërthen flaka e, me që ndërtesa është prej druri, të gjithë dalin me vrap përjashta! E tani vajzat e vogla, në këmishë nate, me këmbët e zbathura mbi dëborë, shikojnë fjetoren si zhduket, e mbështjellë nga një re e dendur tymi. Fëmijët dridhen, Netët e dimrit në Kanada janë tejet të ftohta.
Në dritën luhatëse të flakëve duken e zhduken disa fytyra me mollëza e spikatura e me kaçurela të zez: janë indianet urone ose algonkine, bija prindërish të krishterë, të cilët ua kanë besuar rregulltareve. Shihen edhe disa fytyra të zbehta, rrethuar me flokë të artë: janë bijat e kolonëve francezë, që jetojnë në Kanada. Të gjitha këto vajza të vogla, të pushtuara nga frika, gjysëm të ngrira, nuk dëshirojnë tjetër, veçse të rikthehen në krevatin e ngrohtë, për të vijuar gjumin e lënë pëgjysëm. Disave u kërcasin dhëmbët nga e ftohta, të tjerat qajnë me dëshpërim.
Po ku është zhdukur Nënë Maria e Mishërimit, eprorja e kuvendit? Ah, ja, po del nga shkolla, pasi kontrolloi çdo skutë, nga frika se mos mbetej ndokush i bllokuar ndër fjetoret. As ajo nuk pati kohë t’i mbathte këpucët, ndërsa shtrëngon fort në dorë një libër, të cilin bëri çmos ta shpëtojë nga flakët: është katekizmi, që ka shkruar në gjuhën algonkine. Iu desh të punonte vjet e vjet për ta shkruar, prandaj u shqetësua më shumë për të shpëtuar librin, sesa për të mbathur këpucët.
Nënë Maria i mbledh çikat rreth vetes, i ngroh me dashurinë e saj. E ato shumë shpejt e ndjejnë veten më mirë. Kjo motër është në gjendje ta mbushë me besim këdo, sepse shpirti i saj është plot me një optimizëm të pabesueshëm. Ajo e ndërtoi këtë shkollë e, me kalimin e viteve, vijoi ta zgjëronte, që të mund të zinte një numër sa më të madh vajzash. Më në fund, në vitin 1650, vit i rënies së zjarrit, ndërtesa ishte gati e përkryer... ndërsa tani duhet rindërtuar… Po, me ç’para?
Pavarësisht nga të gjitha, Nënë Maria nuk është nga ato që dëshpërohen. Maria Gyijard është shquar gjithnjë si grua guximtare. Me origjinë nga Tur i Francës, erdhi në Kebek për të dhënë ndihmesën e vet për përhapjen e krishterimit, në këtë vend të zbuluar një shekull më parë. E tani, në moshën pesëdhjetëvjeçare, është ende përplot me energji: “Në se duhet të rindërtojmë, me ndihmë të Zotit, do të rindërtojmë!”. Por ndërkaq duhet gjetur sa më shpejt një strehë për gjithë këto vajza, para se të bëhen akull. Nënë Maria i bën të vrapojnë, që të ngrohen sadopak. E, duke vrapuar trokasin në portën e motrave agostiniane: porta u hapet menjëherë. Mund të rrinë aty derisa ta ndërtojnë rishtas strehën e re.







All the contents on this site are copyrighted ©.