U kremtua në Jeruzalem, solemniteti i Kushtimit të Bazilikës së Varrit Shenjt.
(15.07.2008 RV)Sot paradite, në Jeruzalem, u kremtua Solemniteti i Kushtimit
të Bazilikës së Varrit të Shenjtë, zemër e krishtërimit, që lartohet mbi kodrinën
e Golgotës e mbi varrin e Zotit. Bazilika, që hebrenjtë e quajnë “Knessiat ha Kever”,
Kisha e Varrit, shpreh përmes emrit që i dhanë arabët, (Kanisah al Qiama) ‘Bazilika
e Ngjalljes’, ngjarjen historike, që ndodhi në këtë vend. Zgjedhja e datës 15 korrik
për Kushtimin e Bazilikës së Varrit Shenjt, u bë në kohën e kryqtarëve, të cilët e
caktuan për të përkujtuar pesëdhjetë vjetorin e hyrjes së tyre ngadhënjimtare në
Jeruzalem, më 1099. E në se nga ndërtesa e parë, e ngritur nga perandori Kostandin,
shuguruar në vitin 335, nuk ka mbetur asnjë gjurmë, në elementet arkitektonike e zbukuruese
të Bazilikës aktuale mund të dallohen akoma gjurmët e kishës së ndërtuar nga kalorësit
kryqtarë, në fund të shekullit XI. Gjatë kremtimit eukaristik solemn, kryesuar nga
Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Pierbatista Picabala, morën pjesë sidomos rregulltarë
të krishterë të qytetit të vjetër, por nuk munguan edhe shtegtarët. Ishte një liturgji
në latinisht, që mblodhi rreth Anastasis besimtarë nga kombësi të ndryshme. Edhe një
herë kumtimi i ngjalljes u lartua drejt qiellit nga Kapela e Engjëllit, para varrit
të zbrazët të Zotit. Në liturgjinë, që kremtohet në këtë Bazilikë, lutjet e himnet
përsërisin se ‘këtu’, pikërisht në këtë vend, Zoti u ngjall!