(14.07.2008 RV)“Prania e aborigjenëve gjatë vizitës papnore, është një fakt
i rëndësishëm” – kështu e komenton zëdhënësi i Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, njoftimin,
sipas të cilit një grup aborigjenësh do të përfaqësojë australianët autoktonë në Meshën
e madhe të 20 korrikut, me të cilën Benedikti XVI do të përfundojë kremtimet për Ditën
Botërore të Rinisë. Përveç kësaj – njofton Atë Lombardi – gjatë ditëve të pushimit
të Papës në qëndrën Kënthërs Stadi të Opus Dei-t, në veri të Sidneit, kardinali Tarçizio
Bertone do të vizitojë një nga fshatrat e aborigjenëve në Australi. “Sekretari
i Shtetit të Shenjtërisë së tij, do të ketë me vete edhe anëtarë të tjerë të grupit,
që shoqëron Papën. Sot vizitoi qytetin Paramata, ku kremtoi Meshën Shenjte në katedralen
e Shën Patrikut”- vijon njoftimi i Atë Lombardit.Kujtojmë se në shkurtin e kaluar,
kryeministri Kevin Rud, në emër të qeverisë, u kërkoi zyrtarisht falje aborigjenëve
për padrejtësitë e pësuara në të kaluarën dhe dënoi përpjekjen për t’i asimiluar me
forcë, gjatë viteve 1910-1970. Edhe Papa, siç njoftoi pak ditë më parë Atë Lombardi,
gjatë fjalimeve të tij, do të prekë temën e aborigjenëve.