2008-07-14 10:58:13

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: "Zha-Zhak Olje, themelues i një seminari në Paris".


(13.07.2008 RV)RealAudioMP3 Jemi në muajin e majit e lagjja e Shën Sylpisit, në zemër të Parisit, ka pamje festive nën diellin e ndritshëm të stinës së ëmbël. Rrugët janë plot me qerre e karroca, të ngarkuara me ujë e me fruta. Një i ri përpiqet të hapë rrugë në mes të turmës. Më në fund, si merr kthesën drejt njërës nga rrugicat e shumta, gjen Kishën që kërkonte. Në mes të llaçit e skelave, aty lëvizja është edhe më e madhe se në rrugët për rreth.
“Është ky seminari i ri i zotit Olje?” – pyet me druajtje djaloshi.
“Po, sapo është bekuar e, pas pak kohe, seminaristët mund të vijnë e të banojnë këtu”.
Në këtë çast djaloshi shikon vetë dom Oljenë, duke ecur në tremën e kishës e i afrohet menjëherë: “Dom Olje!”.
“Urdhëro, biri im. Më thuaj, ç’mund të bëj për ty?”.
“Dua të bëhem meshtar, dëshiroj të hyj në seminarin tuaj”.
Dom Olje e shikon me simpati këtë riosh, që duket se ka shumë ngut dhe e fton të shkëmbejnë dy fjalë bashkë. Dëshiron ta sqarojë se që të bëhesh meshtar, nuk mjafton vetëm dëshira për të mësuar gjithçka, që ka të bëjë me fenë. Prifti dëshiron të hyjë në thellësi të shpirtit të seminaristëve të tij të ardhshëm, të bindet se janë vërtetë të thirrur për rrugën e vështirë meshtarake. Në një kohë kur shumkush bëhet meshtar falë rangut ose përkrahjes së duhur, Olje dëshiron që seminari i tij të edukojë të rinj që janë vërtetë të thirrur për të ecur pas Krishtit e për ta jetuar Ungjillin e tij. Meshtaria nuk është zanat. Nuk është sofër e shtruar, ku mund të hash falas. Meshtaria është rrugë që të çon në Kalvar, pas Krishtit. Të tillë meshtarë dëshiron të përgatisë prifti parizian. Në fund të fundit ka të drejtë ta kërkojë këtë, sepse edhe ai vetë, i pari, e jeton pikë për pikë Ungjillin. Zha-Zhak Olje dë Vernëj që kur lindi, qe caktuar nga fati të ulej në fronin e ndonjërës nga ipeshkvnitë më të mëdha të Francës. Por ndërsa e ëma përpiqet të shfrytëzojë ndikimin e miqve të famijes, për t’i siguruar një post të lartë kishtar, djaloshi Zha-Zhak dëshiron të shërbejë në një kishë sa më modeste, sa më të thjeshtë, sa më pranë mesazhit Ungjillor. Në vend që të bëhet prelat i pasur, e shpenzon gjithë pasurinë për besimtarët e famullisë së tij. Po Olje ka në mend diçka edhe më të madhe. Dëshiron që meshtarët të marrin një formim më të përshtashëm, për ta kryer si duhet misionin e tyre. E kështu lind plani për të krijuar një seminar, të cilit tani, në vitin 1646, po i jepet dora e fundit. Jeta e seminarit duhet të mbështetet mbi katër shtylla: leximi i Biblës, Eukaristia, lutja e drejtimi shpirtëror. E seminaristët duhet të jetojnë pranë famullitarëve, për të mësuar më mirë ç’duhet të bëjnë në të ardhmen. Duke dëgjuar djaloshin, që i flet plot zjarr për fenë e tij, Olje ndjehet i lum: “Një rekrut i ri, për të përuruar seminarin tim”, mendon Meshtari: “Shenjë e mirë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.