365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: "Mikpritja e rregulltarëve
të Shën Bernardit".
(14.07.2008 RV)“Trokiti, pra, edhe
për mua ora e fundit!” – pëshpërit me një fije zëri Filipi. I mbështjellë me mjegull
e breshërizë dëbore, humbet rrugën e ndjen si i akullohen këmbët. Do të vdesë kështu
kot, në maje të Alpeve, duke kapërcyer bjeshkët e rënduara nga dëbora, për të shkuar
nga Zvicrra në Itali. Në këtë epokë, kujtojmë se jemi në shekullin XVII, rruga që
ka marrë është i vetmi shteg malor, i cili të çon nga njëri vend në tjetrin. Natyrisht
në dimër do të ishte mirë të mos shkelje në këtë shteg. Po kush ka punë, e merr mësysh
udhëtimin e vështirë. Kështu edhe Filipi. Duke e ditur se në qafë të malit është një
strehim, ai dëshiron të arrijë atje sa më shpejt. Humbet rrugën dhe ndjen se së shpejti
do ta zërë gjumi i rëndë i dëborës, gjumi i vdekjes. Por, papritmas dëgjon, fare pranë
tij, një lehje qensh. Nëpër mjegull duken tri silueta. Me sytë që po i mbyllen nga
gjumi i dëborës, ai shikon dy si hije, veshur me zhguna, që përkulen mbi të, ndërsa
një qen i madh ia lëpin, me gjuhën e ngrohtë, faqet e ngrira…. “Banojmë në strehën
e Shën Bernardit të Madh” – i shpjegojnë dy rregulltarët – është pikërisht manastiri
që po kërkonit. Misioni ynë është të presim shtegtarët që arrijnë në maje të malit,
t’u sigurojmë mundësinë të çlodhen e ta marrin mirë veten e, pastaj, t’i ndihmojmë
të zbresin në anën tjetër. Prej disa vitesh përdorim edhe qentë për të kërkuar njerëzit,
që mund të kenë humbur rrugën ndërmjet këtyre maleve, të cilat i njohim si xhepat
tonë. Këta qen i quajmë ‘të Shën Bernardit”. “Do të ndez një qiri, për t’ju falënderuar!
E një edhe për ty, bukuroshi im!” – mërmërit Filipi, duke përkëdhelur qenin me dorën
gjysëm të ngrirë. Rregulltarët e ngrenë me kujdes. “Të vijojmë rrugën, sa s’ka
nisur ndonjë stuhi e re dëbore. Edhe kështu, ngrica është e tmerrshme. Në manastir
ju presin supa e ngrohtë e krevati. Të shpejtojmë, pra, para se të bjerë nata”. “Në
se të gjithë rregulltarët do të ishin si ju, bota do të ishte parajsë!” – bëlbëzon
Filipi. Vëllezërit e Shën Bernardit ia krisin gazit. “Po kështu bëjnë të gjithë
rregulltarët, o mik. Mikpritja është rregull e artë për të gjitha manastriret, që
nga Mesjeta. Në se ju ndodh ndonjëherë të sëmureni, gjeni shpejt ndonjë manastir,
e do të shihni se do t’ju mjekojnë falas, derisa të dilni që aty i shëruar”. “E
në se do të bini në mjerim – gjë që ne nuk jua urojmë”, shton frati tjetër, “shkoni
në ndonjë kuvend. Do t’ju strehojnë, do t’ju japin për të ngrënë e do t’ju shtrojnë
për të fjetur. Mikpritja për rregulltarët është e shenjtë, si lutja”. Filipi
është aq i prekur në shpirt, sa nuk di më ç’të thotë. Dy rregulltarët vijojnë:“Mos
na falëndero fare! Kjo është puna jonë e përditshme. Ne jemi gjithnjë gati për t’ia
hapur portat mikut të panjohur, që del nga mjegulla, sikur të ishim duke pritur një
nga vëllezërit tanë”.