2008-07-11 18:57:15

Përparësitë e semestrit francez të presidencës së Bashkimit Evropian në fjalët e Sarkozì-së dje në Europarlament.


(11.07.2008 RV)Emigracioni, mbrojtja e përbashkët evropiane, Bashkimi i Mesdheut, energjia dhe klima. Janë këto përparësitë e semestrit francez të presidencës së Bashkimit Evropian, të paraqitura dje në Europarlament nga kreu i Elizeut, Nikolas Sarkozì. Presidenti francez nënvizoi se duhet pragmatizëm dhe objektiva ambicioze për të kapërcyer pengesat e krijuara nga “jo”-ja irlandeze për Traktatin e Lisbonës. Vetë Sarkozì do të shkojë në Irlandë më 21 korrik. Ndërsa nga njëra anë i bëri thirrje Polonisë të ratifikojë traktatin sipas premtimit, nga ana tjetër kreu i Elizeut u shpreh kundër një Evrope, që zhvillohet me shpejtësi të ndryshme, pasi sipas tij, askush nuk duhet lënë pas. A mund t’i japë me të vërtetë Sarkozì një impuls të ri kësaj Evrope, që duket sikur po shkrihet dalëngadalë? Të dëgjojmë profesorin italian të gjeopolitikës në Universitetin Roma II, Xhuzepe Betoni:

Përgjigje: - Ai ka thënë se nuk do të flitet për një traktat tjetër, e ky është një vendim i rëndësishëm: duhet rinegociuar e duhet vendosur qartë nëse është e volitshme të ulemi sërish rreth një tryeze. Avantazhi i Sarkozì-së në këtë rast, është se ai ka një karizëm shumë të fortë, vërtet tërheq pas vetes personat. Presidenca franceze nuk ka kaluar kurrë pa arritur rezultate të vërteta e pa ndikime të fuqishme, prandaj, sigurisht, do të ketë influecë, por misioni është i vështirë. Të themi se nëse ekziston ndokush që mund t’ia dalë mbanë, kjo është Franca, e në veçanti, Franca e Sarkozì-së. Nyja kryesore për të zgjidhur është rigjetja e rolit të Bashkimit Evropian, një rol që të përceptohet pozitivisht nga qytetarët. Sarkozì e di këtë, di se ky është një nga elementet kryesore të largimit të qytetarëve evropianë nga politika.

 
Pyetje: Pas direktivës së diskutueshme mbi emigracionin, ratifikuar vetëm pak javë më parë nga Parlamenti Evropian, Sarkozi iu kthye argumentit duke thënë se “Evropa ka nevojë për emigracionin, por nuk mund t’i pranojë të gjithë”. Pastaj shpalli se Franca do të heqë të gjitha kufizimet për hyrjen në tregun e punës. Një koment i juaji?

 
Përgjigje: - Kjo është mjaft interesante, por duhet bërë paralelisht me përmirësimin e kontrollit në kufi e sidomos, me harmonizimin e politikave administrative në nivelin evropian. Për momentin, personat hyjnë nga njëra anë, por nga ana tjetër, nuk regjistrohen; mund të bëhen dy kërkesa për strehim politik në dy vende të ndryshme evropiane, megjithëse kjo nuk pranohet ligjërisht, por administrata i pranon, sepse nuk ka komunikim nga pala tjetër. Duhet të arësyetojmë: në Amsterdam nuk mund të mos e vrasin mendjen për atë që ndodh në Spanjë ose në Itali. Sarkozì e ka kuptuar këtë, sepse ka paguar pasojat e kësaj politike.

 
Pyetje: -Një temë tjetër e nxehtë është ajo e mbrojtjes së përbashkët evropiane…

 
Përgjigje: - Është një temë që djeg tepër. Kreu i shtatmadhorisë së ushtrisë franceze ka dhënë dorëheqjen pas një incidenti, por në të vërtetë ky është vetëm preteksti, pasi flitet për një mosbindje të plotë nga ana e funksionarëve të lartë të mbrojtjes. Sarkozì ka lajmëruar se do të pakësojë numrin e ushtarëve me 54 mijë vetë, do të mbyllë kazerma e baza ushtarake etj.. Të flasësh për mbrojtje do të thotë të kesh një plan kryesisht të hartuar nga ushtarakët e më pas, të negociuar nga politikanët. Por, nëse ushtarakët e shtëpisë tënde nuk janë dakord me atë që bën, është e vështirë të arrihet në një projekt mbrojtje të përbashkët.

 
Pyetje: - Të flasim për politikën e përbashkët bujqësore. Franca ka qenë lider në këtë drejtim, por Sarkozì kërkon që ajo të rishqyrtohet. Ç’do të thotë kjo?

 
Përgjigje: - Mëse gjysma – të themi tre të katërtat e politikës së përbashkët bujqësore – përfundonte në xhepat e bujqve francezë. Kjo politikë ishte bërë sipas modelit të fshatarit francez. Por nuk mund të shkojë përpara kështu, 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk mund të vazhdojnë të japin para për të mbështetur kryesisht fshatarët francezë, duke krijuar jo pak probleme për bujqit portugezë ose polakë. Kjo politikë krijon pabarazi brenda Bashkimit Evropian e për më tepër, duhet thënë qartë, se nuk ka më aq fonde sa më parë, prandaj politika bujqësore duhet reformuar.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.