2008-07-11 18:03:47

Në prag të nisjes së Benediktit XVI për në Australi - komentet e kardinalit Pel e të imzot Klemens.


(11.07.2008 RV)RealAudioMP3 Veprimtaritë e DBR-së në Sidnei filluan sot zyrtarisht me shtegtimin e mijëra të rinjve drejt katedrales së Shën Marisë, ku ka arritur tashmë, nga katedralja e Torinos, trupi i të Lumit Pier Gjorgjio Frasati, njëri nga pajtorët e kësaj Dite të Rinisë, që ia kushtoi jetën të varfërve e të sëmurëve e që vdiq nga poliomieliti në moshën 24 vjeçare, më 1925. U hap edhe një ekspozitë me sendet personale të rregulltares australiane, Meri Mëklop, edhe ajo pajtore e DBR-së, e lumnuar nga Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Australi më 1995. Ndërkaq në Sidnei vijojnë të arrijnë të rinj nga mbarë bota. Nesër do të niset edhe Papa e, duke filluar nga 17 korriku, do të marrë pjesë në ngjarjen e madhe, që konsiderohet si dhuratë e Provanisë hyjnore për kohët tona.
Do të jetë shtegtimi më i gjatë për Benediktin XVI, i cili do të përshkojë 16 mijë kilometra për të arritur në Sidnei për DBR-së. Para tij, në tokën australiane shkelën dy paraardhës, Pali VI më 1970 e Gjon Pali II: më 1986, për një vizitë të gjatë baritore e më 1995, pikërisht në Sidnei, për lumnimin e rregulltares Meri Mëklop.
Pas një ndalese teknike në bazën ushtarake të Darvinit, të dielën e ardhshme, pikërisht për shkak të gjatësisë së udhëtimit, diferencës prej 8 orësh ndërmjet orës vendase e asaj evropiane e ndryshimit të stinës (kujtojmë se Papa do të arrijë nga vera italiane në dimrin australian), Ati i Shenjtë do të pushojë tri ditë në selinë private të Kënthërs Stadi (Kenthurst Study), qendër e Opus Dei-t për ushtrime shpirtërore e formim.
Pjesëmarrja e Papës në DBR do të nisë nga dita e enjte, me ceremoninë e mirëseardhjes nga ana e autoriteteve politike australiane. Parashikohet edhe një kremtim ekumenik si dhe takimi me përfaqësuesit e feve të tjera, që janë impenjuar shumë për t’i mbledhur këtu të rinjtë e DBR-së.
Nuk do të mungojë as takimi i Papës me kishën vendase, që do të nisë me lutjen mbi varrin e së Lumes Mëklop, gruaja e parë australiane e lartuar në nderimet e elterit; për t’u takuar më pas me të rinjtë, që përpiqen të dalin nga tuneli i drogës e me ipeshkvijtë, seminaristët, novicët e novicet australiane në një Meshën solemne.
Të enjten e ardhshme, në Gjirin e Sidneit, do të organizohet festa e mikpritjes për mysafirët e DBR-së - ardhur nga të katër anët e botës.
I pritur me valle e këngë tradicionale nga banorët autoktonë, aborigjenët, në Rouz Bei (Rose Bay), Papa do të niset me anije drejt molos së Barangaros. Këtu do të takohet me 225 mijë të rinj – 125 mijë të ardhur nga vendet e ndryshme të botës, 100 mijë australianë – për një takim madhështor, që konsiderohet më i rëndësishëm se Olimpiada e Sidneit 2000.
Të premten Papa do të thotë lutjen për fillimin e Udhës së Kryqit, që do të përshkojë rrugët e metropolit australian, ndërsa të shtunën, do të kryesojë natën e madhe, të pagjumë, të lutjes në hipodromin e Rënduikut (Randwick) të Sidneit, pasuar, të dielën, më 20 korrik, në orën 10 me orën vendase, 2 pas mesante me atë evropiane, gjithnjë në hipodrom, nga kremtimi i Meshës Shenjte për Ditën XXIII Botërore të Rinisë. Mesha, e ndjekur fizikisht nga mijëra të rinj të pranishëm në hipodrom e shpirtërisht nga mijëra e mijëra të tjerë në të gjithë globin, do t’i ngjasë vërtetë Rrëshajëve të reja- siç nënvizoi Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar.

Në sa ne po transmetojmë, në Sidnei vërshojnë përrenj të rinjsh, që duke dalë nga aeroporti, përhapen në rrugët e qytetit të madh, duke e rinuar, duke e mbushur me gëzimin, me shpresën me fenë e tyre, në pritje që të marrin nga Papa forcë të re në Shpirtin Shenjt, për të qenë dëshmitarë të Krishtit, temë kjo e Ditës Botërore të Rinisë. Janë nisur tashmë edhe disa të rinj shiptarë, së bashku me ipeshkvin, Imzot Kristofor Palmieri.

Por, të rikthehemi tek kremtimet e sotme: një valle aborigjene në qendër të stadiumit të blertë të Melburnit, hapi ceremoninë e pritjes të të rinjve të DBR-së, të cilët më pas morën pjesë në Meshën Shenjte të hapjes së ‘ditëve të dioqezës’. Stadiumi u mbush plot me flamuj, muzikë, ngjyra, këngë, fjalë të ngrohta, shkëmbime të përvojës së fesë e të jetës. 50 mijë të rinjtë pjesëmarrës i bënë Papës urimet për ditën e emrit me një brohoritje të pandërprerë: “Benedetto, Benedetto!”. Por për fazën përgatitore të kësaj DBR-së e, sidomos, për ndryshimin e saj nga të tjerat, të ndjekim, në mikrofonin e Radios sonë, kryeipeshkvin e Sidneit, kardinalin Gjorgj Pel, primat i Kishës së Australisë:

Përgjigje: - Më duket se në pjesën më të madhe është shumë e ngjashme me të tjerat. Ndoshta një ndryshim i rëndësishëm është ai i ndihmës së madhe që morëm nga qeveria: si nga qeveria federale, ashtu edhe nga ajo e provincës sonë. Ne jemi 5 milionë katolikë e pa këtë ndihmë, nuk do të ishte e mundur të kremtohej kjo DBR-së.

 
Pyetje: - Gjithnjë në fazën përgatitore të kësaj DBR-së, ç’rezultate pati shtegtimi i Kryqit në tokën australiane?

 
Përgjigje: - Kryqi, ikona e një mesazh i aborigjenëve tanë – banorëve autoktonë të Sidneit që i ftojnë të gjithë indigjenët e tjerë të Australisë të mblidhen rreth Papës- përshkuan mbarë vendin gjatë 12 muajve të fundit. Rreth 400 mijë të rinj australianë u lutën nën këtë kryq kaq simbolik.

 
Pyetje: - Hirësi, dëshiroj t’ju pyes edhe për rezultatet që priten pas DBR-së; ndoshta tani është shpejt ta prekim këtë argument, por gjithsesi më duket tepër i rëndësishëm. Dioqezat e famullitë po përgatiten edhe për këtë. Ç’pritet nga kjo ngjarje kaq e madhe kishtare?

 
Përgjigje: - Famullitë e shkollat duhet ta thellojnë bashkëpunimin e tyre. Aktualisht jemi duke hapur një qendër të re për të rinjtë tanë, për ushtrime shpirtërore e për veprimtari të tjera rinore. Kemi krijuar edhe një komitet për të planifikuar nismat e për të mbledhur frytet e kësaj DBR-së.

 
Për atmoferën e pritjes dhe të rejat e kësaj DBR-së, të ndjekim imzot Jozef Klemens, sekretar i Këshillit Papnor për Laikët, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në Sidnei ndjehet fort atmosfera e pritjes. Grupet e të rinjve gjermanë kanë arritur tashmë në dioqezat australiane. Bëhen përgatitjet e fundme. I gjithë qyteti do të mbushet me flamujtë e DBR-së. Qyteti është shumë i bukur, me një port tërheqës, me Teatrin e famshëm të Operas, me Harbër brixh. Pamje e bukur e atmosferë e bukur, rinore.

 
Pyetje: - Ditët Botërore të Rinisë tërheqin gjithnjë vëmendjen e të rinjve, që nisen nga të katër anët e botës për të përqafuar Atin e Shenjtë. Ç’i tërheq kaq shumë në këtë shtegtim?

 
Përgjigje: - Natyrisht takimi me Atin e Shenjtë, dëgjimi i fjalës së tij, përvoja e tij e thellë teologjike, e jo më pak, humanistike. Është ngjarje e madhe, që prek zemrat. Por nga ana tjetër, të rinjtë i tërheq edhe takimi me të rinjtë e tjerë. Nuk duhet harruar se këtu tashmë janë mbledhur përfaqësues të 200 kombeve të ndryshme të globit. Me grupe të mëdha a të vogla, në Sidnei është e pranishme mbarë bota. E për një të ri është gjë e bukur të shikojë të rinj të tjerë, t’i dëgjojë, t’i njohë. Tani të rinjtë janë në gjendje të flasin shumë gjuhë, prandaj nuk e kanë vështirë të merren vesh me shokët e kontinenteve të tjera, të kulturave të tjera. Pastaj gjuha më e kuptueshme është vetë gjuha e rinisë! Udhëtim i gjatë ky, për një të ri, i lodhshëm, por ia vlen, sepse të pasuron me një përvojë të paharrueshme.

 
Pyetje: - Urimi i imzot Klemens drejtuar të gjithë të rinjve që po arrijnë në Sidnei për të marrë pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme?

 
Përgjigje: - Uroj që të gjithë të përfitojnë sa më shumë shpirtërisht nga kjo përvojë, që të marrin pjesë në katekizëm, të bëjnë pyetje. Mund të jetë rast i papërsëritshëm në jetë kjo mundësi për të dialoguar me ipeshkvijtë e mbarë botës. Uroj edhe që të përfitojnë nga realiteti i Australisë, nga qyteti i Sidneit. Ky është qytet në të cilin bashkëjetojnë shumë kultura, ku shikon racat e mbarë botës. Një ngjarje e tillë nuk vjen dy herë në jetë!

 
E tani, të rinjtë që kanë arritur u thonë lamtumirë shqetësimeve që i paraprinë udhëtimit të gjatë. Është koha për ta shprehur me gëzim fenë! Sidnei po ndërron pamje e kjo pamje gazmore do të prekë kulmin, kur të arrijë mysafiri i madh, Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.