2008-07-11 18:05:03

Në muajin tetor - leximi i pandërprerë i Shkrimit Shenjt në TV.


(11.07.2008 RV)Rreth 1200 lexues – individë, grupe, familje, të paraprirë nga lexuesi më i nderuar, Benedikit XVI. Kjo do të jetë shfaqja e jashtëzakonshme, që do të mund të ndiqet nga bazilika romake e Shëna Krygjës së Jeruzalemit nga 5 deri më 11 tetor, kur ky vend do të bëhet teatër i ngjarjes së shumpritur, titulluar ‘Bibla natë e ditë”, gjatë së cilës do të lexohen 73 librat e Shkrimit Shenjt. Leximet do të nisin me kapitujt e parë të Librit të Zanafillës, që do të transmetohet nga RAI 1, ndërsa në nismë mund të marrin pjesë të gjithë ata, që duan ta jetojnë këtë ngjarje të jashtëzakonshme, për të cilën na flet, në mikrofonin e Radios sonë, kryeipeshkvi Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës dhe një nga organizatorët e veprimtarisë:
 
Përgjigje - Ne, gjatë jetës së përditshme, dëgjojmë miliona e miliona fjalë, që bëhen gjithnjë më shumë gumëzhimë zërash, që nuk janë mjet komunikimi, por thjeshtë, zhurma. Ky rast do të na rikthejë tek fjalët e mëdha. Ashtu si u rikthyem me leximin e ‘Komedisë Hyjnore’ të Dantes, me ‘Iliadën’ e ‘Odisenë’ e Homerit. Në rastin tonë kemi diçka më shumë, sepse do të transmetojmë fjalë që kanë qenë e janë pikë kryesore referimi për jetën e miliona e miliona njerëzve, e jo më pak, element bazë për ikonografinë, për mendimin, për letërsinë. Mund të themi me plot gojën se një pjesë e mirë e historisë kulturore të botës perëndimore, nuk do të mund të kuptohej pa Shkrimin Shenjt, sepse fjalët e Biblës vijojnë të tërheqin vëmendjen e të tundin ndërgjegjen e njerëzve të kohës sonë. E këtu nuk e kemi fjalën vetëm për besimtarët. Janë fjalë me peshë, që u kundërvihen fjalëve boshe, të cilat nuk lënë asnjë gjurmë në shpirtin e njerëzve.

Pyetje: - Leximin, siç dihet, do ta hapë vetë Papa e, menjëherë pas tij, do të dëgjojmë Kryerabinin e Romës. Ç’kuptim ka kjo radhitje e cilët do të jenë lexuesit e tjerë?

Përgjigje: - Secili ka mundësi të marrë pjesë, në se do të shkruajë emrin përmes internetit, secili mund të ngjitet në këtë skenë e ta shpallë Shkrimin Shenjt me zërin e vet, në mënyrën e vet; do të kemi rastin të dëgjojë zëra të jashtëzakonshme e të zakonshme; zëra besimtarësh e jo besimtarësh e, kryesisht, zëra njerëzish, që kanë bindjen se ky tekst është themelor për kulturën e për qytetërimin e Perëndimit. Natyrisht është menduar edhe për ndarjen e tekstit, që do të lexohet nga 1300 persona. Gjthsesi deshëm të fillojmjë me Benediktin XVI, që do të lexojë Librin e Zanafillës, e pikërisht një fragment nga Kapitulli I, verseti 1, fundin e kapitullit II, versetin 4a, që është një faqe unitare. Pasi të jetë shpallur ky tekst nga autoriteti më i lartë i krishterë, jo vetëm katolik, do të marrë pjesë edhe bashkësia, që e ruajti dhe e trashëgoi në shekuj këtë tekst: bashkësia e bijve të Izraelit. Pas Papës, do të vijë Kryerabini i Romës, që do të lexojë në gjuhën hebraike, tekstin e lexuar pak më parë nga Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.