2008-07-11 18:04:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Shfaqja e parë e Polijëktit, tragjedi e Pjerr Kornejt".


(11.07.2008 RV)RealAudioMP3 Jemi në fillim të vitit 1643 e Pjerr Kornej është i pranishëm në shfaqjen e veprës së tij të re, titulluar Polijëkt (Polyeucte). Salla, plot, hesht në pritje të ngritjes së perdes. Kornej është i famshëm e njerëzit e pasionuar pas teatrit, ngarendën në masë për ta duartrokitur veprën i tij të dymbëdhjetë teatrale.
Hapet perdja. Shfaqja fillon….
Por… ja që Kornej shikon se disa gogësijnë, të tjerë nisin të pëshpërisin. E pra në skenë aktorët luajnë me gjithë shpirt e nga loja e tyre nis të rijetojë një tragjedi e vërtetë. Është historia e një të krishteri të shekujve të parë, Polijëktit, njeri i drejtë e guximtar, që mbytet mizorisht nga paganët, sepse ka përmbysur disa shtatore idhujsh. Pas vdekjes së tij, e shoqja kthehet në fenë e krishterë e po ashtu, edhe qeveritari, i cili e kishte dënuar… Që nga ky çast, në Armeni marrin fund persekutimet kundër besimtarëve e nga gjaku i martirit Polijëkt lind një turmë e tërë të krishterësh të rinj. Kornej e shkroi me kënaqësi këtë vepër, duke vënë në gojën e aktorëve dialogë, për të cilat është krenar. Personazhet, që krijoi, kanë atë fe të flaktë e atë guxim të pamposhtur, që do të dëshironte ta kishte edhe ai vetë. Prandaj zhgënjehet e hidhërohet pa masë nga mënyra si reagon një pjesë e mirë e publikut. Duke e parë ç’ngjet, Kornej e kupton se nuk është aspak e lehtë të shkruash një vepër me temë fetare. Ulur fare pranë tij, dy zonja shkëmbejnë kritika të tharta:
“Nuk e kuptoj pse Kornej i madh shkoi e zgjodhi një temë të tillë. Ani kush? Ai që shkroi Sidin. Kjo, po, është vepër që të lë mend. Natyrisht sepse aty merret me dashurinë, jo me shenjtorët”.
Kornej, duke i dëgjuar këto komente, mendon me trishtim se as Kisha nuk do t’ia miratojë veprën. Në të vërtetë, edhe njerëzit e saj s’ia kursejnë kritikat. E qortojnë se ka zgjedhur aktorë të padenjë për të luajtur rolin e shenjtorëve. Madje ka edhe nga ata që thonë se të shkruash për teatrin e të shkosh në teatër, është imorale….
Po kjo s’e tremb fare tragjedianin e madh. Ai ka një dëshirë të vetme: ta vërë talentin e tij në shërbim të Zotit e të njerëzve. E bën këtë, sepse ka guximin ta dëshmojë fenë në profesionin e vet; e bën, sepse rrëfyesi i tij jezuit, e ndjek dhe e mbështet në këtë veprimtari.
Ja, perdja bie. Shfaqja përfundon! Aty-këtu dëgjohet ndonjë duartrokitje e fortë.
“Ah, ka edhe duartrokitje”, mendon Kornej. “Në të vërtetë nuk është sukses i madh, por së paku ndonjë nga shikuesit duhet të jetë prekur në zemër”.
Që asokohe kanë kaluar qindra vjet, por vepra e Pierr Kornejt nuk e ka humbur vlerën. E kjo tregon se gjenialiteti i tij e besimi i tij u bënë ballë shekujve, gjë që askush nuk mund ta mohojë.

1 ‘Polyeucte’ u përkthye në gjuhën shqipe nga Atë Zef Valentini, S.J.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.