2008-07-10 18:15:11

Pas dy ditësh Benedikti XVI do të niset për në Australi. Në Sidnei arrijnë gjithnjë më shumë të rinj. Intervista me ipeshkvin Filipo Santoro e Salvatore Martinez.


(10.07.2008 RV)RealAudioMP3 Më pak se 48 orë e ndajnë Benediktin XVI nga fillimi i shtegtimit apostolik, më i gjati i papnisë së tij, që do ta çojë për dhjetë ditë në Australinë e largët. Siç dihet, Papa do të kalojë disa ditë pushimi, para se të takohet me turmën e të rinjve e të rejave, që do ta presin në gjirin e tyre, për të nisur Ditën e 23-të Botërore të Rinisë, Sidnei 2008. Por mund të themi se tashmë në metropolin australian ka filluar të ndjehet gjithnjë më shumë atmosfera e festës. Avionët e nisur nga të katër anët e botës, shkarkojnë në trojet australiane gjithë ç’ka më të mirë njerëzimi: të rinjtë, që të bashkuar në grupe, sipas kombeve prej nga vijnë, nuk e zgjasin shumë, por fillojnë menjëherë veprimtaritë, pasi zënë vend në bazat mikpritëse australiane, përgatitur qëkur për ta. Për të jetuar simbolikisht ca çaste pranë tyre, intervistuam të dërguarin e gazetës ‘Avenire’, Mimo Muolo, me telefon, nga Sidnei:

 
“Sidnei merr ngjyrat e Ditës Botërore të Rinisë. Ngjyra zyrtare verdh e bardh e Vatikanit shpaloset kudo e, që dje, përhapet në të katër anët nga grupet gjithnjë më të shumta të të rinjve shtegtarë të cilët, me çantat dyngjyrëshe mbi shpinë, shëtisin nëpër rrugët e qytetit, duke zgjuar kureshtjen e kalimtarëve. Edhe gazetat vendase, duke lënë, mënjanë polemikat e kohëve të fundit mbi koston e ngjarjes e ato mbi shpërdorimet seksuale të një prifti, i kushtojnë vëmendjen e duhur të rinjve, që po arrijnë nga mbarë bota. Metropoli australian përgatitet, kështu, për të pritur Papën e nis një sërë takimesh, fetare e kulturore, që i paraprijnë programit kryesor. Nesër në katedrale do të arrijnë reliket e të Lumit Piergjorgjio Frasati; të shtunën puliezët e Sidneit do të organizojnë një festë për nder të të rinjve italianë, që kanë arritur këtu. E pastaj, duke nisur nga e diela, 30 takime të mëdha me pjesëmarrjen e bashkësive kombëtare (maronite, amerikane, franceze, aziatike) e të grupeve, shoqatave e lëvizjeve, si neokatekumenalët, miqtë e françeskanëve, grupet e përshpirtërisë injaciane, skalabrinianët etj. etj. Pritet me padurim festa “Rroftë Agoràja”, organizuar nga shërbimi baritor rinor i Konferencës ipeshkvnore italiane, që do të mbahet më 16 korrik. Por mund të themi se asnjë herë DBR-ja nuk ka folur me kaq shumë gjuhë, ndërmjet të cilave nuk mungon as shqipja, si po flet në Sidnei. Shumë gjuhë, për të shprehur një fe të vetme: fenë në Krishtin!”.

DBR-ja, si mundësi e madhe që u krijohet të rinjve, tingëllon edhe si përgjigje për pyetjet e tyre. Kështu e shikon kardinali i Sidneit, Gjorgj Pel, në një intervistë dhënë agjensisë Fides. Hirësia e Tij shpreh besimin se feja e të rinjve të mbarë botës do të përforcohet nga Dita e tyre botërore e se ata do ta njohin më thellësisht Krishtin, si qendër të jetës së tyre. Një urim të tillë bëri edhe imzot Filipo Santori, ipeshkëv i dioqezës braziliane të Petropolis, pak para nisjes për në Australi, i rrethuar nga një turmë gazmore të rinjsh. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Dioqeza ime e Petropolis, që nuk është shumë e madhe, në krahasim me përmasat e Brazilit, do të përfaqësohet nga 30 të rinj, që do të marrin pjesë së bashku me mua, në këtë ngjarje të gëzuar. Po të kemi parasysh vështirësitë ekonomike e largësinë, duhet thënë se është një numër i kënaqshëm. Ndërsa Brazili në përgjithësi, do të ketë një përfaqësi prej një mijë të rinjsh, prandaj shpresojmë se ky takim i bukur, i madh, më pas do të ndikojë fuqimisht mbi jetën e të gjithë të rinjve të Brazilit. E prandaj edhe jemi shumë të kënaqur që po nisemi. Përveç shoqërimit të të rinjve, unë do të mbaj edhe një katekizëm, çast ky përgatitor dialogu ndërmjet ipeshkvijve e të rinjve. Edhe takimi i Torontos e i Këlnit patën çaste të tilla, gjatë të cilave ndjehet fuqimisht bukuria e Kishës, bukuria e takimit me Papën, bukuria e bashkimit me Zotin…”.

 
Këngë e valle para nisjes. Këtë pamje kishte sot aeroporti i Fiumiçinos, që gumëzhinte nga grupet e të rinjve, ardhur nga gjithë Italia, të cilët niseshin njëri pas tjetrit drejt Sidneit. Ndërmjet lëvizjeve, që do të përfaqësohen në DBR-në australiane, është edhe ajo e Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, me një grup prej 500 të rinjsh. Pyetëm kryetarin e Lëvizjes, Salvatore Martinez, ç’i shtyn këta të rinj të marrin një rrugë kaq të largët?

Përgjigje: - I shtyn e njëjta dëshirë e përhershme, dëshira për t’u takuar në fe, sepse feja është takim, feja nuk njeh kufij, feja është përvojë miqësie që të shtyn të shkosh deri atje, ku nuk kanë guxim të shkojnë bindjet njerëzore, arsyetimet njerëzore. Të rinjtë e kanë këtë guxim shpirtëror, që duhet rizbuluar vazhdimisht e edhe duhet lavdëruar, për t’i treguar botës mbarë se edhe në kohën tonë kemi një rini të shëndetshme, që hap rrugë të reja për përtëritjen e fesë. I shtyn, pra, kjo dëshirë, e kjo i bën mirë posaçërisht Evropës sonë, që duket se po vijon të plaket, të humbasë dëshirën më të madhe, atë për t’u takuar me Zotin, sepse krishtërimi, para së gjithash, është pikërisht takim me Zotin!

 
Pyetje: - Në pritje të fillimit të mirëfilltë të DBR-së, ju në Brisbejn, keni organizuar festivalin ‘Yai’. Ç’ mund të na thoni për të?

 
Përgjigje: - ‘Yai’ janë inicialet e ‘Youth Arise International’. Mund ta përkthejmë lirisht “Të rinj të të gjithë botës, bashkohuni!”. Mendoj se në kohën tonë ndjehet fuqimisht nevoja për rikumtimin e arsyeve, që e shtyjnë njeriun të jetojë, arsye që duhet të ushqejnë shpresat, arsye universale, të cilat burojnë nga feja jonë katolike. Ky është kuptimi i Yai: dëshira për t’i mbledhur të rinjtë nga mbarë bota e, posaçërisht, të rinjtë që vijnë nga vendet ku është e vështirë të praktikohet feja, vende ku të krishterët persekutohen. Flas për Lindjen e Mesme, për Lindjen e largët. Yai synon t’i përgatisë të rinjtë për ungjillëzim.

 
Pyetje: - Ç’atmosferë ndjehet në Australi, në këtë kontinent ku është e dukshme ndeshja e të kundërtave… ?

 
Përgjigje: - Ka një tharm gufues. Miqtë tanë në qytetet kryesore po bëjnë një punë të lavdërueshme, duke përfshirë në festën e madhe rinore shumë familje, të cilat po rizbulojnë dhuratën e çmuar të mikpritjes. Po shikojnë në fytyrat e këtyre të rinjve, fytyrat e fëmijëve të tyre, ashtu si do t’i dëshironin e si nuk nuk i kanë, sepse një pjesë e mirë e tyre e kanë braktisur fenë, kanë humbur edhe gjuhën e traditat e vendeve prej nga kanë ardhur familjet tyre. Mund të themi, me entuziazëm, se këto ditë po lidhen miqësi të jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.