2008-07-10 18:58:38

Muhamed Junus dhe libri i tij i fundit “Një botë pa varfëri”


(10.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Një botë pa varfëri” është titulli i librit të ri të Muhamed Junus, ekonomistit çmim Nobel për Paqen në vitin 2006, themelues i Grameen Bank, një institut bankar i pavarur, që jep mikrokredite pa garanci për më të varfërit, të cilët duan të krijojnë një aktivitet të vetin. Kjo bankë është e përhapur në 57 vende të planetit. Junus, me origjinë nga Bangladeshi, është edhe autori i librit të famshëm “Bankieri i të varfërve”, një nga më të shiturit në botë. Ta dëgjojmë se si e prezanton ai vetë librin e fundit, në mikrofonin tonë:
Në këtë libër flitet për impenjimin shoqëror e për të ardhmen e kapitalizmit, pra, se si kapitalizmi ka nevojë të rishikohet, për të kapërcyer problemet, që ai vetë i krijon.
Në ç’mënyrë, sipas jush, mikrokrediti mund të përhapet e të përdoret më shumë në botë?
Duke bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të interesohen për mikrokreditin e të marrin pjesë në të. Duhet të impenjohemi, që ky lloj aktiviteti ekonomiko-shoqëror, pra mikroprojekti, të përhapet në shumë fusha, si kapërcimi i varfërisë, teknologjia, strehimi, uji i pijshëm, shëndetësia… Koncepti i mikrokreditit mund të zbatohet në çdo fushë. Kushdo mund të marrë iniciativën e të krijojë diçka…
Cili është roli i komunikimit në këtë rast?
Është shumë i rëndësishëm, sepse idetë duhet të përhapen, njerëzit duhet të njoftohen e të frymëzohen nga puna e personave të tjerë. Është e nevojshme që njerëzit të komunikojnë ndërmjet tyre, sepse mikrokrediti mund të zgjidhë shumë probleme që shohim rreth nesh.
Ç’mendim keni për të ardhmen?
Shoh një të ardhme më të shkëlqyer nga e sotmja. Mendoj se po lëvizim në një mënyrë, që na lejon t’i zgjidhim problemet. Me kalimin e kohës, mund të krijojmë një botë pa varfëri, një botë më njerëzore, më të sigurtë. Kjo është bota e së ardhmes: të rinjtë e duan këtë, duhet vetëm t’u japim atyre mundësitë e nevojshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.