2008-07-10 18:16:48

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Zhak-Beninjë Bosye, Meshtari që i kujtoi Mbretit-Diell detyrat ndaj të varfërve".


(10.07.2008 RV)RealAudioMP3 Një herë në vit, në oborrin e Luigjit XIV, si në mbarë Kishën, nisin zyrtarisht Krezhmët. Dyzet ditë me radhë të krishterët reflektojnë për kuptimin e jetës së tyre e për rrugët në të cilat duhet të ecin, për ta ndjekur pas Krishtin e ngjallur. Përpiqen, kështu, të përqendrohen në gjërat më të rëndësishme e t’i lënë mënjanë më të parëndësishmet, siç janë, për shembull, ushqimet e zgjedhura, festat e zhurmshme e salltanetet e tjera…
Çdo vit, pra, në pallatin e Luvrit, një meshtar ngarkohet me detyrën t’u prijë reflektimeve për Krezhëm... Kjo do të thotë se për dyzet ditë duhet të predikojë tri herë në javë në kapelën e pallatit. I gjithë oborri mblidhet për ta dëgjuar: Luigji XIV, gruaja e tij, e ëma dhe zotërinjtë që banojnë në pallat. Meshtari e ka për detyrë t’u kujtojnë të gjithë këtyre pasanikëve, cilat janë gjërat më të rëndësishme, që duhen vlerësuar vërtetë në jetë. Sfidë e bukur, s’ke ç’i thua! Banorët e pallatit të Luvrit i adhurojnë festat, nuk e kanë zakon të bëjnë pendesë, të rrinë pa ngrënë e, aq më pak, të luten, në vend që të dëfrehen. Prandaj është vërtetë e nevojshme që ndokush t’ua kujtojë se duhet të jetojnë si të krishterë. Por mjerisht, në shumicën e rasteve, predket që u bëjnë meshtarët, mbretit e oborrtarëve nga njëri vesh u hyjnë e nga tjetri u dalin!
Por në shkurt të vitit 1642 oborri zbulon një predikatar të jashtëzakonshëm: meshtarin e ri, tridhjetë e tri vjeçar, Zhak-Beninjë Bosye. Meshtari i guximshëm, nuk pyet fare ku vret fjala, kur kujton në predk njerëzit që nuk jetojnë në oborrin mbretëror: “Vdesin nga uria! Po zotërinjtë e mi, vdesin nga uria në tokat tuaja, në kështjellat tuaja, në qytetet tuaja, në fshatrat tuaja, rreth pallateve tuaja! Asnjëri prej jush s’e luan as gishtin për t’i ndihmuar. Për fat të keq! Ju kërkojnë vetëm tepricat tuaja, vetëm thërrimet që mbeten nga drekat e darkat tuaja. Po ju as këto s’doni t’ua jepni”.
Kështu predikon meshtari, e megjithatë oborrtarët nuk inatosen, përkundrazi, nis t’i brejë sadopak ndërgjegjja. Vetë mbreti organizon në pallat dreka për të varfërit. Madje u shpërndan me dorë të vet ushqime e veshmbathje...
Po sot, ç’i thotë njerëzimit emri i Bosyesë?Emri i predikatarit të madh nuk ka rënë fare në harresë. Madje edhe sot e kësaj dite librat e tij janë nga më të famshmit në letërsinë franceze. Të shkruar mrekullisht bukur, vijojnë të jenë aktualë. Bosye konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit XVII. E, të mos harrojmë: ai nuk ishte vetëm orator i shkëlqyer, por edhe, e kryesisht, meshtar i jashtëzakonshëm. Pak njerëz ia dolën mbanesh t’ia ulnin kokën Mbretit Diell e oborrtarëve të tij, siç bëri Bosye.







All the contents on this site are copyrighted ©.