Përkujtojmë sot 84-vjetorin e lindjes së monsinjor Nikollë Minit.
(09.07.2008 RV)Lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Ishte më i vogli ndër katër
fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi. Shumë shpejt mbeti
jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i zgjuar, jashtzakonisht
i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrendit
e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike. U
shugurua meshtar njëherësh me Dom Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet
shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo
e kërkoi Kisha: nga Shenjtnorja e Zojës së Crnagorës në Letnicë, në Novoselë të Gjakovës,
në Bec, Zym, Velezhë e në katedralen e Prizrendit, ku mbylli sytë më 15 maj 1992 në
elter, ndërsa kremtonte Meshën Shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin ndaj Kishës,
për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën. Figurë poliedrike, monsinjor Mini u
dallua si Meshtar, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i
korit kishtar, gojtar, publicist, autor i flepalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës"
dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me imzot Nikë Prelën,
i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese,
prej nga dolën shumë botime të reja. Mbeti në kujtesën e besimtarëve si njeri që
jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për elterin
e mbylli sytë në elter, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e
të kulturës shqiptare, model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.