Ndryshime në udhëheqjen e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve: Papa emëron imzot
Ladaria Ferrer, në vend të kardinalit Saraiva Martins, që del në pension.
(09.07.2008 RV)Ndryshim i rëndësishëm në udhëheqjen e Kongregatës për Çështjet
e Shenjtorëve. Benedikti XVI pranoi kërkesën për t’u larguar nga detyra për shkak
të moshës, paraqitur prej prefektit, kardinalit Zhozè Saraiva Martins dhe thirri,
për ta zvendësuar, kryeipeshkvin Angjelo Amato, deri tani sekretar i Kongregatës për
Doktrinën e Fesë. Detyrën e këtij të fundit, Papa ia besoi jezuitit atë Luis Francisco
Ladaria Ferrer, pedagog i teologjisë dogmatike në Universitetin Gregorian e, deri
tani, sekretar i përgjithshëm i Komisionit Teologjik ndërkombëtar. Sekretari i ri
i Kongregatës për Doktrinën e Fesë lartohet në dinjitein kryeipeshkvnor. Imzot Ladaria
Ferrer, 64 vjeç, u diplomua, më 1966, në drejtësi, pranë Universitetit të Madridit
e, në të njëjtin vit, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Kreu edhe studimet e filozofisë
e të teologjisë pranë Universitetit Papnor Komilas e më pas edhe pranë Shkollës së
Lartë të Filozofisë e Teologjisë në Frankfurt mbi Majn. I shuguruar meshtar në vitin
1973, mori titullin doktor në teologji pranë Universitetit Gregorian, duke u bërë,
më pas, pedagog i teologjisë dogmatike në Universitetin Papnor Komilas e në atë Gregorian,
ku ishte edhe zevendës-rektor. Nga viti 1992 deri më 1997 ka qenë anëtar i Komisionit
teologjik ndërkombëtar e nga viti 2004, sekretar i tij i përgjithshëm. Është, që nga
viti 1995, këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.